E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktori dhe personazhi

Shumë vepra të krijuara nga penda e mjeshtërve të mëdhenj shprehin personalitetin e autorit, dhe sa më thellë është futur autori aq më personale dhe më bindëse bëhet vepra. Dramaturgët e famshëm botëror, që nga mesjeta, rilindja dhe modernia, rrallë herë kanë shprehur mungesën apo sinqeritetin, ngase fiksioni mendor i dërgonte drejtë së shëmtuarës.

Ata, me veprat e tyre unike, jo të ngjashme me asnjë tjetër, meqë moment të ri zhvillimi, krijimi, pasqyrimi ndërtonin brenda strukturës së veprës. Nëse do të krijonin një kopjim, imitim servil, nuk do ishte krijim, pra vetëm mjeshtri në art. Me këtë shpesh kërkohet të thuhet se vepra apo e bukura e adhuruar shpreh saktësisht natyrën personale dhe karakterin e zakoneve të artistit e të adhuruesit, prandaj, kjo për aq më tepër del më e bukur. E bukura ka të bëjë më shumë me ndjeshmërinë, dhe shumë dramaturg kujdes të madh i shtojnë në të mirë të tyre, sasinë e iluzionit të dëshiruar, që përshkon çdo adhurim estetik.

Bota artistike e mjeshtërve të penës ka sasi realizmi, por në një farë mënyre është edhe fiksion i pendës apo brushës. E bukura nganjëherë është madhështi e rrejshme, me qëllim për të ngacmuar dhe spërkatur me nuanca ireale. Fjalën e kam te shumë aktor profesionist, të cilët gjatë gjithë jetës do ndeshën me pendën e dramaturgut dhe kotësish pa kuptuar se çka fshihet prapa iluzionit artistik. Filozofi gjerman Friedrich Nietzche për aktorët e mëdhenj ka këtë mendim:

“Aktorët e mëdhenj janë të lumtur që jetojnë në mashtrim duke menduar se personazhet historike të cilat i paraqesin ata, me të vërtetë janë ndier si ata, derisa i shfaqin ndjenjat e tyre, por në këtë gabojnë: forcat e tyre zbuluese dhe imituese të cilën duan ta shfaqin për profeci, depërton aq thellë sa për t’u shpjeguar gjestet, intonimi dhe shikimi, në përgjithësi ajo e jashtmja, përkatësisht kapin hijen e shpirtit të një heroi të madh, një luftëtari, një burrështeti, një njeriu ambicioz, depërtojnë deri në afërsi të shpirtit të objektit të tyre, por jo edhe deri në shpirtin e tyre”.

Anën e jashtme më shumë e transmetojnë derisa ajo kryesorja me heroikja është e brendshmja, sepse arrin ta shpërfaq thellësisht shpirtin e personazhit kryesor. Si duket aktorët nuk përdorin metoda të fuqishme për tu ngjyrosur me shpirtin e personazhit. Ata janë kopjues përkthyes të një roli në shumë role tjera, gjë që dëmton mjeshtrin profesionale të aktorit. Nëse një aktor nuk ka arritur ta zotëroj tekstin, të mësoj logjikën e fjalive, të ndjek rrethanën, biografinë e personazhit, të studiojë botën e autorit, formën e veprës, strukturën, kompozicionin dhe kulminacionin, atëherë, në asnjë mënyrë nuk duhet të paraqitet në dritën skenike.

Fatkeqësisht, kjo ndodh në shumë shfaqje profesionale, me aktor profesional që zhyten në petkun e amatorizmit. Për të kuptuar dhe ringjallur personazhin, duhet të stërvitemi të hulumtojmë parahistorinë e personazhit. Ata aktor të cilët fillojnë të ndërtojnë rolin pa parahistorinë e personazhit, asnjëherë nuk do të njoftohen me esencën e rolit dhe më frymëmarrjen. Aktori duhet ta kuptoj hulumtimin e sinqertë dhe fjalën sinqeritet e cila përdoret jo si metaforë në një simfoni, dramë apo roman me personazhe të shumëfishta. Gjithnjë do ta na del se raportet midis veprës dhe njeriut nuk janë të thjeshta siç mendohet zakonisht.

Shumë aktorë nuk janë në dijeni se funksioni i parë që arti përmbush në jetë, është ai, i cili, përmes lojës na bënë të harrojmë jetën. Vrojtimi mbi të bukurit, është pra, mënjanim apo ikje, tepricë ose luks. Nëse një autor ka shkruar një vepër të bukur, nuk do të thotë se edhe shpirti i tij është i bukur. Biografitë e njerëzve të mëdhenj, imtësitë e karakterit të tyre shpesh i nxjerr jashtë kryevepra e tyre, që vetëm ato mbeten të mëdha. Aktorët, duhet të hulumtojnë edhe jetën, karakterin, rrethanat në të cilat ka jetuar autori, për të kuptuar dhe njohur mirë me kryepersonazhin, ose rolet e tjera. Sipas Gëtes, aktori përvetëson zemrat e të tjerëve, por vetën nuk e jep. “Talentet mimike gjithherë linden, por aktori që flet rolin e tij duhet që me ushtrime graduale të arrijë deri te unifikimi i personazhit të tij dhe që në masë që lejon natyra e tij të ndërtojë pa dëshirën e vet” shënon Gëte.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›