E Diel, 1 Nëntor 2026

Lleshanaku, në garë për ‘Poeti europian i lirisë’

Luljeta Lleshanaku prezantohet te lexuesi polak me librin “Fëmijët e natyrës”, përkthyer nga Dorota Horodyska, e cila ka përkthyer edhe më parë vepra të tjera nga letërsia shqipe, kryesisht në prozë

Libri që sapo ka dalë në qarkullim u botua në kuadër të konkursit “Poeti europian i lirisë”, i cili u finalizua me një aktivitet të rëndësishëm letrar që u mbajt në Gdansk nga 19 deri më 25 mars.

“Fëmijët e natyrës”, në origjinal, është botuar në vitin 2006. Ai është përkthyer dhe botuar edhe në anglisht nga shtëpia botuese “New Directions” në SHBA, është përfshirë në përmbledhjen “Haywire and new poems”, botuar në Londër nga shtëpia botuese “Bloodax” shtatorin që shkoi, si edhe është përkthyer në gjermanisht dhe botuar nga shtëpia botuese “Edicion Correspondenzen” në Vjenë, në vitin 2010. Luljeta Lleshanaku ka një përkufizim të sajin për mesazhin që ky libër përcjell.

“Ashtu siç është komentuar edhe më parë, ky libër përcjell një lloj vitaliteti të njerëzve që dominojnë mbi rrethanat, dhe që arrijnë të krijojnë identitetin e tyre, duke u përballur me këto rrethana. Ne e njohim mirë këtë situatë; për shumë prej prindërve tanë, kuptimi i ekzistencës vinte nga përballja me regjimin, si një formë e mbijetesës morale. Diktaturat janë sprova të mëdha karakteri, dhe një mundësi për të nxjerrë në pah cilësitë e brendshme, forcën e karakterit të secilit prej nesh. Ky libër është gjithashtu një përpjekje për të memorizuar një copë nga realiteti im i fëmijërisë, përmes gjërave të thjeshta, që e bëjnë të papërsëritshme jetën e gjithkujt, sidomos në rrethanat e izolimit gjeografik dhe politik. Besoj këtë ka pasur parasysh edhe juria, kur e përzgjodhi librin, si kandidat për këtë çmim”.

Çmimi letrar “Poeti europian i lirisë” synon të nderojë dhe promovojë fenomene në poezi, të cilat kanë të bëjnë me një nga çështjet kyçe për lexuesin bashkëkohor, lirinë, dhe që në të njëjtën kohë, janë vepra të cilat karakterizohen nga vlera të dallueshme artistike. Poetët e nominuar për këtë çmim përfaqësojnë tetë vende europiane: Tozan Alkan (Turqi), Kristin Berget (Norvegji), Pablo Casado (Spanjë), Durs Grünbein (Gjermani), Petr Halmay (Republika Çeke), Ryszard Krynicki (Poloni), Luljeta Lleshanaku (Shqipëri), Serhij Zhadan (Ukrainë.) Juria e konkursit është e përbërë nga kritikë arti, filozofë, regjisorë, dramaturgë, prozatorë dhe përkthyes.

Qëllimi i kësaj forme konkurrimi nuk është të japë një verdikt të kritikës letrare, por të artistëve të mëdhenj dhe intelektualëve, që do ta gjykojnë poezinë me ndjeshmërinë e tyre. Ky është edicioni i dytë i konkursit “Poeti europian i lirisë” dhe zhvillohet një herë në dy vjet. Çmimin për edicionin e parë e fitoi poeti bjellorus, Uladzimier Arlou.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›