Aktori ''mafioz" në Tiranë

Imazhi i tij është i lidhur kryesisht me rolet negative në filmat Italian për mafian.
Megjithatë Mario Pupella është një aktor mjaft i dashur për publikun. 55-vjeçari ka një karrierë të gjatë artistike si aktor dhe regjisor në kinemanë e Italisë.
Pjesëmarrja në filimin “Shlyerja e mëkateve” e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri.
“Është hera e parë që vij këtu. Duhet të rrëfej që ndihem si në Itali. E thashë që në çastet e para që zbrita këtu. Kinemaja ka zbuluar këtë fytyrë timen të ashpër, mbase, por unë jam njeri i butë dhe i mirë. Në këtë film jam një kryetar mafie, që ka problemet e tij pasi pëson sulme nga mafia amerikane dhe druan se do t'i ikë nga duart udhëheqja e grupit, por edhe pushteti i territorit. Dhe përpiqet të mbrohet. Në teatër bëj personazhe pozitive, ndërsa në kinema luaj pothuajse gjithnjë personazhe negative”, transmeton TCH të ketë thënë Pupella.
“Nesër do të luaj në një pjesë të Pirandelos, "Njeriu, Bisha dhe Virtyti", sapo të zbres në Palermo, në një teatër me 400 vende. Duhet të sjell në jetë një personazh që të jetë simbol i mirësisë”, ka treguar ai.
Pupella është shumë i famshëm edhe për role e tij në teatër ku ka interpretuar me sukses vepra të Pirandelos, Molierit, Ben Jonson dhe gjithashtu në teatro të ndryshme greke dhe romake.
Filmat ku ai ka interpretuar janë të shumtë, si roli i veçantë në filmin e vëllezërve Frazzi për Xhovani Falkonen si dhe përfshirja në “Scuadra Antimafia” në sezonin e tretë dhe të katërt apo edhe në filmin “Sicilian Girl”.
Në karrierën e tij ai ka bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm, edhe fitues të çmimeve “Oscar”, por gjithmonë në rolin e mafiozit. /Indeksonline/