E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktorja "Oskar" çel Festivalin e Prishtinës

Do të mbërrijë sot në Prishtinë. Vanessa Redgrave është presidente e edicionit të parë të PriFilmFest (Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë). Aktorja britanike do të jetë e pranishme në këtë aktivitet, pas anulimit që iu bë në qershor jo vetëm ardhjes së saj, por edhe vetë festivalit, për shkak të vdekjes së vajzës së Redgrave, aktores Natasha Richardson. Drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha, shprehet se reputacioni i saj do të ndihmojë jehonën e festivalit. Ndërkohë që vetë aktorja, fituese e çmimeve "Oskar" dhe "Golden Globe", kthehet në një vend të njohur për të. Në vitin 1999 Redgrave organizoi në Prishtinë festivalin "The return", ku dhanë shfaqje teatrore dhe muzikore në kampet e refugjatëve. Ndërkohë, PriFilmFest ka shpalosur programin e kompletuar tё festivalit, i cili pёrbёhet nga 30 filma nё tri programe tё ndryshme: atё tё konkurrencës zyrtare ku garojnё 10 filma, duke pёrfshirё edhe filmin "Lindje, Perёndim, Lindje". Përfshihen këtu filmi kroat "The living and the dead" nga Kristijan Milic, "I am from Titov Veles" nga Teona Strugar Mitevska (Maqedonia); "Correction" nga Thanos Anastopoulos (Greqia), "Opium War" nga Siddiq Barmak (Afganistan), "Storm" nga Hans-Christian Schmidt (Gjermania), "Time of the Comet" (Koha e kometës) nga Fatmir Koçi (Shqipëri-Gjermani), "Hush your mouth" nga Tom Tyrwhitt (Britani e Madhe), "Snow" nga Aida Begic (Bosnjë-Hercegovina), "Look at me" nga Marija Perovic (Mali i Zi). Në programin jashtë konkurrimit të titulluar "The Winners" (Fituesit) ku do tё projektohen filmat fitues nga festivalet mё prestigjioze botërore, si Kanë, Berlinale etj.. Në këtë kategori do tё shfaqen 5 filma, si "The white ribbon" fitues i Kanës 2009, "Milk of Sorrow" fitues i Berlinale 2009, "3 Monkeys" fitues i Kanës 2008, "Man on wire" fitues i çmimit "Oskar", "Katyn" fitues i "European Film Awards" etj. Në programin retrospektiva do tё pёrfshihen filmat kosovarë tё prodhuar para dhe pas luftёs, të titulluar "PreWar Cinema" dhe "PostWar Cinema". Si program i veçantё do tё jetё po ashtu projektimi i katёr premierave të kineastëve të rinj kosovar, filmi i metrazhit të gjatë i punuar në teknikën dixhitale "Pёrtej rrugës" me regji tё Yll Citakut dhe tre filma tё shkurtёr të punuar me teknikën më bashkëkohore xhiruese RedOne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›