E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza: Sarkozi ka marrë 150 euro për fushatën presidenciale

Financierja e “L’Oreal” pohon se ia dha paratë shefit të fushatës

Gruaja më e pasur në Francë ka kryer një dhurim të paligjshëm parash në fushatën zgjedhore presidenciale të Presidentit aktual, Sarkozi. Lilian Bettencourt, miliarderja e “L’Oreal”, trashëgimtarja më e pasur femër e vendit, që është në qendër të akuzave për shmangie taksash, thuhet se i ka dhënë fushatës së Sarkozisë një zarf të mbushur me para në vitin 2007. Bëhet fjalë për një shifër prej 150 mijë eurosh, sipas ish-llogaritarit të 87-vjeçares. Sarkozi e ka mohuar kategorikisht një akuzë të tillë, por zëdhënësi i tij nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së shumës së sipërpërmendur të parave nga një anëtar i stafit zgjedhor të Presidentit. “Unë do të doja shumë që vendi të përqendrohej në problemet reale dhe të mëdha që kemi përpara, në vend që vëmendja e të gjithëve të kapej pas çdo lloj deklarate që qarkullon me qëllim njollosjen e personave të ndryshëm”, ka deklaruar Sarkozi. Administrata e tij është akuzuar tashmë për “bërjen e njërit sy qorr” në lidhje me parregullsitë financiare që kanë shoqëruar vitet e fundit biznesin miliarder të zonjës së famshme. Akuzat shkojnë më tej, duke e fajësuar administratën për një sjellje të tillë edhe me biznese dhe biznesmenë të tjerë të mëdhenj. Për sa i takon Bettencourt, ajo e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj në lagjen e pasur të Parisit, kryebashkiak i së cilës ka qenë kohë më parë vetë Sarkozi dhe ku ai ka ende shtëpinë e tij. Akuzuesi, një ish-llogaritar që nuk ka parapëlqyer të identifikohet, ka thënë për median se iu kërkua që të tërhiqte 150 mijë euro nga llogaria e Bettencourt. Ajo e refuzoi fillimisht kërkesën, sepse kufiri i një tërheqjeje nuk i kalonte 50 mijë eurot, por më pas i thanë se këto para duheshin për fushatën zgjedhore të Sarkozisë dhe kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme në një rast të tillë. Në Francë dhurimet e kësaj natyre janë të kufizuara deri në vlerën 5000 euro për person dhe kontributet me para në dorë nuk duhet t’i kalojnë 150 eurot. Të gjithë donatorët privatë të fushatave duhet të paguajnë me çeqe dhe donatori në një rast të tillë duhet që të jetë qartësisht i identifikuar. Financieri i zonjës së pasur tha se fillimisht tërhoqi 50 mijë euro dhe më pas edhe një 100 mijë euro të tjera nga llogaritë e zonës së Zvicrës. Më pas financieri tha se shumën e madhe ia dha në një mënyrë të fshehtë drejtorit financiar të fushatës së Sarkozisë, i cili është aktualisht ministër i Punësimit. Akuza kanë dalë 21 orë pas publikimit nga media të bisedave telefonike mes zonjës Bettencourt dhe këshilltarëve të saj për problemin në fjalë. Zonja e “L’Oreal”-it është e përfshirë aktualisht në një grindje të madhe me vajzën e saj në lidhje me pasuritë e familjes.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›