Dilemat për deklarimin e pasurisë dhe TVSH-së
Ulja e pragut të TVSH-së për klasifikimin e bizneseve dhe deklarimi i të ardhurave përmes mbledhjes së faturave, janë dy reformat që synojnë eliminimin e informalitetit në vend dhe hapa drejt standardeve të BE-së. Ministria e Financave po punon për zbatimin e këtyre dy ndryshimeve thelbësore në ekonominë e vendit, por, nga ana tjetër, roli i grupeve të interesit në hartimin e drafteve është i rëndësishëm, në mënyrë që të mos sjellë dështim. Ulja e xhiros vjetore, nga 5 milionë lekë në 3 milionë, për llogari të klasifikimit të biznesit dhe caktimit të kufirit mes të voglit dhe atij me TVSH, konsiderohet një hap pozitiv. Sipas ekspertëve të fushës, zgjerimi i bazës për deklarimin e faturave TVSH dhe shkarkimin e kësaj takse në të gjithë ciklin e biznesit, do të krijonte të ardhura për buxhetin e shtetit, por, nga ana tjetër, krijon kosto për individët, pasi për produktin dhe shërbimin do të marrin një shtesë (TVSH) 20 për qind më të shtrenjtë. “Përdorimi i faturave me TVSH, njohja e saj dhe vendosja në produkte e shërbime, nuk bën gjë tjetër veçse ngarkon konsumatorin, i cili sot i blen një pjesë të mallrave pa shtesën 20 për qind, për shkak se shumë biznese i shmangen deklarimit të faturave reale. Nëse ulet pragu i xhiros, nga 5 në 3 milionë, atëherë do të kemi një zgjerim të bizneseve që do të përdorin faturat e TVSH-së, të cilat, siç dihet, shkarkohen te produkti final që ble konsumatori. Pra do të kemi çmime 20 për qind më të shtrenjta”, thotë për “Shqip” eksperti i financave për bizneset, Agim Binaj. Ai shton se buxheti i shtetit do të rritet akoma dhe më shumë prej shtesës së kësaj takse, ndërsa ajo që paguan individi do të derdhet në arkën e shtetit. “Sot ka shumë biznese që e shesin produktin me çmim që përfshin TVSH-në, por që në fakt nuk e deklarojnë në shtet për të shmangur detyrimin. Pra, edhe shteti vidhet, por edhe konsumatori paguan më shtrenjtë. Në këtë mënyrë më duket e drejtë ulja e pragut, madje të zerohet”, vijon sqarimin Binaj, ish-anëtar i Komisionit të Apelimit në Ministrinë e Financave.
Qeveria e miratoi uljen e xhiros vjetore për llogari të kalimit të biznesit të vogël në të madh, nga 8 milionë në 5 milionë lekë dhe tani planifikon ta bëjë 3 milionë, për ta ulur akoma e më tej vitin tjetër me 2 milionë, deri në heqjen fare të saj. Bizneset e mëdha industriale që ofrojnë produktet e tyre janë pro kësaj reforme të TVSH-së, pasi nuk gjenden nën presionin e firmave të vogla që s’duan të pranojnë furnizime me fatura. Nëse qeveria do ta ulë pragun e xhiros vjetore, atëherë ekspertët e fushës gjykojnë se duhet rishikuar edhe niveli i taksës. “Niveli 20 për qind i TVSH-së duhet rishikuar dhe ndarë në kategori të ndryshme. P.sh., për mallrat e luksit duhet parë mundësia e aplikimit të taksës me 25 për qind, kurse ushqimet 10 për qind”, thotë Binaj.
Edhe sa i takon deklarimit të të ardhurave përmes mbledhjes së faturave, plan i vendosur si prioritet nga Ministria e Financave, biznesi është pro, por edhe këtë me disa sugjerime. “është një hap i sigurt drejt standardeve të BE-së. Nuk jemi kundër, por nga ana tjetër duhet shikuar ai nivel shpenzimi që individit do t’i zbritet në fund të vitit në formë rimbursimi”, sqaron për gazetën administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku. Sipas këtij projekti, qeveria do të ekuilibrojë shpenzimet që bën individi brenda një viti, për të parë masën e taksave që paguan, pasurinë e tij.
#