E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza për 500 mijë euro zbardhet letra e Kolegjit për Topin

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-07-2011 10:14

Akuzat e Partisë Socialiste për marrje ryshfeti në shumat e 500 mijë eurove nga ana e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor nuk kanë kaluar pa lënë shenjë te këta të fundit. Dje së pari nëpërmjet komunikimit joformal me gazetarët, dhe më pas nëpërmjet një letre drejtuar përfaqësive të huaja diplomatike në vendin tonë dhe vetë kreut të shtetit, Bamir Topi, ata kanë shprehur hapur shqetësimin që personalisht, por edhe familjarët e tyre, kanë në këto ditë si pasojë e këtyre akuzave. Të gjendur në mes akuzave, ata ndihen viktima të politikës dhe për këtë qëllim kërkojnë reagimin e institucioneve shtetërore, në radhë të parë të Presidentit, dhe më pas të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Entela Prifti

E para që ka reaguar ndaj këtyre akuzave ka qenë gjyqtarja Entela Prifti, e cila ashtu si dhe tetë kolegët e tjerë të saj është vënë në qendër të sulmeve politike që kanë ardhur nga PS-ja. Pa hequr mantelin e gjyqtarit, pas ndërprerjes së seancës së djeshme gjyqësore, ajo ka reaguar për akuzat për marrje ryshfeti në shumën e 500 mijë eurove. Por ndërsa këto akuza kanë ardhur nga socialistët, ajo nuk ka dashur të merret me ta, duke bërë përgjegjëse për to mediat, të cilat i kanë përcjellë këto akuza. Duke dialoguar me Ivi Kason, përfaqësuesin e PD-së në Kolegj, Prifti ka ironizuar me këto akuza, ndërsa nuk ka ngurruar të shprehet se ato 500 mijë euro do t’i marrë, por jo nga PS, si autore e tyre, por nga mediat që i kanë transmetuar ato. Kur gazetarët kanë replikuar me shprehjen popullore se “Ku ka zë nuk është pa gjë”, Prifti i është përgjigjur se “për shpifje mund dhe të dënohesh”.

Astrit Kalaja

Një tjetër gjyqtar i cili është ndjerë i fyer nga këto akuza ka qenë edhe Astrit Kalaja. Gjatë një bisede informale me gazetarët në Gjykatën e Apelit, Kalaja është shprehur i irrituar për gjendjen e krijuar tek ata vetë personalisht, por më shumë te familjaret e tyre, të cilët në mënyrë indirekte duket se janë bërë viktima të këtyre akuzave politike. “Ky është problem i shoqërisë shqiptare, se në këtë rast nuk cenohem unë, por cenohet familja. Fëmijët në shkollë po i shqetësojnë për këto akuza. Kjo nuk është normale”, - tha Kalaja gjatë bisedës me gazetarët. Më tej ai ka lënë të kuptohet se ndihej me fat që nuk kishte qenë në mënyrë direkte objekt i këtyre akuzave. “Unë jam më pak i prekuri nga këto akuza. Janë dy gjyqtarët e tjerë ata që janë bërë tabelë dhe kjo jo për faj të tyre”, - u shpreh më tej Kalaja. I pyetur nëse për këtë do bënin ndonjë deklaratë, ai u përgjigj se gjyqtari flet me vendime dhe jo me deklarata. Por ka shtuar se “nga ata që duhet të flasin, së pari është Presidenti, është Këshilli i Lartë Drejtësisë dhe më tej Gjykata”. Ndryshe nga sa perceptohet së jashtmi, për fatin e mirë që u ka rënë këtyre 8 gjyqtarëve duke qenë anëtarë të Kolegjit, Kalaja shprehet se nuk është një punë që do ta dëshironte një gjyqtar. “Askush nga ne nuk ka marrë këtë detyrë me qejf. Thjesht ra shorti. Nuk jam gëzuar kur jam emëruar anëtarë i Kolegjit,”, - tha më tej Kalaja.

Letra

Ndërkohë që po gjatë ditës së djeshme shqetësimin e tyre 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor e kanë shprehur në një letër që i kanë nisur Presidentit të Republikës, krerëve më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Anëtarët në këtë letër konfidenciale mësohet se i quajnë akuzat e PS-së si të pabaza dhe sqarojnë se kanë zbatuar vetëm detyrën e tyre në përputhje me ligjin. Ata shkruajnë se ndihen të fyer nga këto akuza që kanë për qëllim përbaltjen e tyre. Anëtarët e Kolegjit gjithashtu i kërkojnë Presidentit të Republikës që në takimin e radhës, të KLD-së, që do të zhvillohet të martën, të diskutojnë këtë çështje dhe të dënojnë akuzat e PS-së që për anëtarët cilësohen si absurde.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›