Tirana, kolegji ndan mandatet e Këshillit Bashkiak
Bashkia e Tiranës, pas kreut të saj të ri, ka tashmë dhe “parlamentin” e saj. Kolegji Zgjedhor ka miratuar dje shpërndarjen e mandateve të anëtarëve të këshillit bashkiak të kryeqytetit, duke mbyllur në këtë mënyrë dhe gjithë fazën e ankimimeve për gjithë procesin zgjedhor të 8 Majit. Një vendim ky që i hap tashmë dritën jeshile dhe procesit të konstituimit të organeve drejtuese të bashkisë më të madhe në vend, pra betimit të kryebashkiakut të ri Lulëzim Basha dhe nisjen nga puna vendimmarrëse e vetë këshillit bashkiak, i cili prej disa muajsh nuk ka qenë mbledhur.
Seanca
Pasi kanë marrë vërtetimin e mandatit të Lulëzim Bashës, si kryetar i ri i Bashkisë nga Gjykata e Tiranës, avokatët e tij Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi kanë mbërritur në Gjykatën e Apelit, aty ku ishte programuar mbajtja e një tjetër seance gjyqësore, për ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak. Të parët që kanë paraqitur pretendimet e tyre ka qenë pala paditëse, e cila me anë të avokatit Ivi Kaso ka bërë të ditur se si subjekt zgjedhor ishin detyruar të vinin para Kolegjit, për shkak se opozita nuk pranoi të zbatojë ligjin, duke mos votuar miratimin e listave të këshilltarëve të Bashkisë Tiranë, të dala nga tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve. “Ne ndihemi në turp, që gjendemi sot këtu përpara jush, pasi disa anëtarë të KQZ-së në mënyrë të pakuptimtë dhe politike nuk ngritën dorën të votonin aktin e paraqitur nga KQZ, i cili kishte dalë nga tabela përmbledhëse e rezultatit dhe që për të hyrë në fuqi kërkonte pesë vota”, - tha Kaso në fjalën e vet. Sipas tij, qëndrimi i anëtarëve të KQZ-së, të zgjedhur me propozim të opozitës nuk kishte kuptim, pasi asnjëra palë nuk bëri më parë ankimim për tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për këshillin bashkiak. Edhe përfaqësuesja e KQZ-së, drejtoresha juridike Dëshira Pasko, ka mbështetur argumentet e dhëna nga pala paditëse dhe i ka kërkuar gjykatës që të miratojë kërkesën për shpërndarjen e mandateve, sipas përllogaritjeve të bëra nga KQZ.
Vendimi
Para se të tërhiqej për të marrë vendimin, Kolegji Zgjedhor ka kërkuar që të dëgjojë dhe pretendimet e palës së interesuar, që duhet të ishte koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, apo Partia Socialiste. Gjyqtari Tom Ndreca ka kërkuar shpjegime nga pala paditëse, pse nuk kishte kërkuar që të ishte e pranishme në këtë gjyq edhe opozita. Lidhur me këtë interesim, avokati Ivi Kaso ka bërë të ditur se u gjykua të mos thirrej, për shkak se vetë përfaqësuesit e opozitës gjatë shqyrtimit të kësaj çështje në KQZ deklaruan se nuk e njohin Kolegjin Zgjedhor. Por pavarësisht kësaj, Ndreca ka theksuar se për shkak të ndërgjyqësisë, palët duhet të ishin të gjitha të pranishme në seancë. Lidhur me këtë çështje, trupa gjykuese është tërhequr për konsultim dhe në përfundim ka vendosur të shtyjë seancën, derisa të lajmëroheshin përfaqësuesit e opozitës. Por pavarësisht kohës së lënë në dispozicion, opozita sërish nuk është paraqitur, ndërsa kolegji është tërhequr për të marrë vendimin për kërkesën objekt shqyrtimi. Duke folur në emër të trupës që e shqyrtoi këtë çështje, relatorja Meriban Mullaj ka deklaruar vendimin për pranimin e kërkesës së palës paditëse, duke urdhëruar shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak, sipas projektvendimit të KQZ-së në bazë të përllogaritjeve të bëra sipas tabelës përmbledhëse të rezultatit. Në bazë të këtij vendimi, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 këshilltarë, ndërsa koalicioni tjetër “Aleanca për të Ardhmen” 27 anëtarë.
F. Braushi