Akuza për mashtrim zgjedhor në Xhorxha, Tramp deklarohet i pafajshëm

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me rastin e tij të mashtrimit zgjedhor në Xhorxha, duke hequr dorë nga e drejta për t’u paraqitur në gjykatë javën e ardhshme.
Tramp është në mesin e 19 personave të akuzuar për një komplot me qëllim përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet amerikan.
Ai u dorëzua në burgun e kontesë Fulton në Atlanta javën e kaluar, ku iu bë edhe një fotografi. Tramp ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje, duke e përshkruar rastin si të motivuar politikisht.
Në një dokument gjyqësor të depozituar të enjten, Trump tha se ai “e kupton plotësisht” natyrën e veprave penale dhe të drejtën e tij për t’u paraqitur në një proces gjyqësor.
“Duke kuptuar të drejtat e mia, unë heq dorë lirisht dhe vullnetarisht nga e drejta ime për të qenë i pranishëm në gjykimin tim mbi aktakuzën dhe nga e drejta ime për ta lexuar atë në një gjykatë të hapur”,- thuhet në dokumentin e nënshkruar.
Trump, kandidati kryesor aktual për nominimin presidencial republikan në vitin 2024, është paraqitur në secilin nga seancat për tre akuzat e tij të mëparshme.
Atij iu kërkua ta bënte këtë për rastet me të cilat po përballet në Nju Jork dhe Florida, dhe vendosi të mos kërkonte një paraqitje virtuale për një rast të veçantë në Uashington DC. BBC
/rtsh.al/