E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat LDK-së për pushtetin komunal, hidhen poshtë nga pozita

Zyrtarë të LDK-së në Mitrovicë kanë vazhduar me akuza në adresë të Kuvendit Komunal, duke shpalosur të dhëna për keqmenaxhimin e arsimit dhe administratës komunale, e cila, sipas tyre, ka treguar performancë të dobët në krahasim me premtimet që u janë bërë qytetarëve. Në anën tjetër, Ali Bejta, drejtor i Drejtorisë së arsimit në Mitrovicë, ka mohuar akuzat në adresë të Drejtorisë së tij, duke thënë se ato janë krejtësisht të pa baza, madje dhe tendencioze.

Sadri Ferati, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, ka thënë të shtunën, para gazetarëve, se qeverisja aktuale e ka ngulfatur administratën komunale në atë nivel, që është nënçmim për një administratë të denjë të jetë viktimë e nepotizmit, konkurseve fiktive dhe punësimeve pa kriter, që kanë qenë të vazhdueshme dhe karakteristike për këtë qeverisje.

“Edhe pse janë kritikuar vazhdimisht për këtë, edhe nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar për reduktim të administratës, në komunën e Mitrovicës kemi rritje të numrit të punësuarve. Ata me mospërfillje i janë përgjigjur ankesave të qytetarëve dhe opozitës si në publik ashtu edhe në Asamble Komunale”, ka thënë Ferati, duke shtuar se PDK me 33 për qind të elektoratit e ka shndërruar komunën e Mitrovicës në makineri punësimi për militantët partiak në sektorë të ndryshme.

Ai ka potencuar se shembull për këtë janë Drejtoria e arsimit, e cila përgjatë punës së saj ka shkarkuar nga detyra drejtorë shkollash fillore dhe të mesme duke i larguar ata nga puna, duke vendosur kështu persona me përkatësi partiake.

Ai ka përmendur edhe punësime tjera të këtij lloji në arsimin mitrovicas, duke veçuar dukurinë e rishpalljeve të konkurseve pa mbulesë, ku jepen orë të mësimeve për persona të pakualifikuar.

Ferati ka vënë në pah po ashtu se në këtë drejtori shpenzimet për reprezentacion janë rritur mbi 100 për qind, marrë në krahasim periudhat paraprake.

“Kjo tregon se nuk ka nikoqirllëk në planifikim e as shpenzim të mjeteve në këtë drejtori. Vetëm lëndë djegëse, përkatësisht 1 mijë tonë thëngjill janë paguar me çmim 78 euro për ton, ndërsa në vitin 2011 është shpenzuar e njëjta sasi e thëngjillit dhe çmimi ka qenë rreth 72 euro për ton. Kjo tregon se janë rritur shpenzimet për sasi dhe kualitet të njejtë të thëngjillit në krahasim me periudhat paraprake”, ka thënë Ferati, duke shtuar se LDK-ja në Mitrovicë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim të shpalosë fakte tjera për keqmenaxhim dhe jo efikasitet të pushtetit lokal në komunë.

Në anën tjetër, Ali Bejta, drejtor i Drejtorisë së arsimit në Mitrovicë, ka mohuar akuzat në adresë të Drejtorisë së tij, duke thënë se ato janë krejtësisht të pa baza.

Ai këto akuza i quajti tendencioze dhe përpjekje për injorimin e punës që po bëjnë organet komunale në përmirësimin e jetës për qytetarët në fusha të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe arsimin.

“E kuptoj nervozën e opozitës, sepse gjithnjë e më larg është larg marrjes së pushtetit. Drejtoritë komunale në përgjithësi dhe ajo e arsimit në veçanti, kanë arritur suksese të pa kontestueshme gjatë këtyre viteve”, ka thënë Bejta, duke shtuar se është i gatshëm në çdo kohë të prezantojë fakte për një gjë të tillë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›