E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja, marrëveshja e re

Për të ecur përpara reforma zgjedhore, liderët e partive politike duhet të arrijnë marrëveshje të re për ndryshimet kushtetuese që lidhen me zgjedhjet. Zyrtarët e PDK’së fillimisht po kërkojnë rikthimin e LDK’së në Komisionin për Reformë Zgjedhore dhe pastaj të thirret tryeza e liderëve. Në LDK deklarojnë se udhëheqësit e partive duhet të merren vesh, pasi puna në komisione ka përfunduar.

Udhëheqësit e LDK’së, PDK’së, Vetëvendosjes dhe AAK’së ende nuk e kanë caktuar ditën kur do të takohen për të vendosur se sa zona do të ketë Kosova si dhe me çfarë listash zgjedhore do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, dhe çfarë përbërjeje do të ketë KQZ’ja.

Megjithëkëtë, shumica e partive të mëdha janë pajtuar të vazhdojë reforma zgjedhore edhe duke e ndryshuar Kushtetutën në ato pika që prek procesi elektoral.

Reforma zgjedhore ishte bllokuar në fund të muajit gusht, kur LDK kishte vendosur të kushtëzonte ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet me zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit të kaluar që ishte arritur mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së. Tash partia e Isa Mustafës nuk po kushtëzon më reformën zgjedhore dhe po kërkon që procesi të ecë përpara.

Zyrtarët e PDK’së po kërkojnë fillimisht rikthimin e LDK’së në komisionin për reformë zgjedhore, e tek pastaj të thirren liderët për të vendosur për çështjet kushtetuese që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Por, në LDK deklarojnë se Komisioni për reformë zgjedhore e ka përfunduar punën, ndërsa kërkojnë të ulen udhëheqësit politikë dhe të vendosin se sa zona duhet t’i ketë Kosova, se a duhet të vazhdohet me lista të hapura apo të mbyllura.

Adem Grabovci ka thënë se PDK dhe Kryeministri Hashim Thaçi janë të gatshëm të përgjigjen takimit të liderëve për të vendosur për çështjet kushtetuese, që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Për listat zgjedhore, zonat zgjedhor dhe përbërjen e KQZ’së është e nevojshme që subjektet politike të ulen dhe të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje”, ka thënë Grabovci.

Para se të ndodhë pajtimi mes partive, Grabovci ka thënë se LDK duhet t’i kthehet Komisionit për reformë zgjedhore.

“PDK ka qenë dhe është e gatshme në çdo kohë. Sa i përket PDK’së, këto çështje tash veç ishin të përmbyllura. Ne kemi dhënë propozimet tona, por nuk jemi për të imponuar mendimin tonë”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i PDK’së ka thënë se largimi i LDK’së nga komisioni ka bllokuar edhe vendimet për zonat dhe listat zgjedhore.

“Nuk është PDK duke bojkotuar procesin, por është LDK me mosfunksionalizimin e Komisionit për Reformë Zgjedhore”, ka shtuar anëtari i Kryesisë së PDK’së.

Por, Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se komisioni e ka përfunduar punën dhe tash duhet të ulen liderët politikë dhe të vendosin se si do shkojë procesi.

Ai ka thënë se LDK s’po bllokon reformën, por po kërkon që ajo të ecë përpara.

“Mendoj se Komisioni e ka kryer punën e vet. Tash duhet të ulen liderët dhe të vendosin për ato ndryshime. T’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe t’i votojnë në Kuvend”, ka thënë Rugova për Express.

“Varet prej liderëve të partive politike se kur do të ulen për të vendosur për reformën zgjedhore në ato pika ku preket edhe Kushtetuta. Ne nuk duhet t’ia gjuajmë topin njëri-tjetrit. Nuk është e vërtetë se LDK po bllokon reformën zgjedhore. Ne jemi për reformë zgjedhore”, ka thënë ai.

Bllokimin e procesit e kishte konstatuar edhe Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, kur LDK kishte vendosur të bojkotojë komisionin për reformë zgjedhore.

Në atë kohë, Shala kishte propozuar takime të reja për t’u zhbllokuar procesi.

“Është situatë e komplikuar dhe goxha e rëndë dhe ne më së paku kemi kontribuar që të jemi në këtë situatë. Pra, jemi në pikën zero dhe unë nuk e di rrugëdaljen nga kjo situatë ose ajo mund të gjendet me një takim të përbashkët të liderëve të partive dhe të dyja komisioneve, atij për ndryshime kushtetuese dhe këtij për reformë zgjedhore”, është shprehur Shala në fund të muajit gusht.

Në atë kohë, zyrtarët e LDK’së patën deklaruar se largohen nga komisioni për reformë zgjedhore dhe ai kushtetuese për aq kohë sa nuk zbatohet marrëveshja e arritur prillin e vitit 2011 në mes të Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila kishte paraparë edhe reformën kushtetuese për Presidentin.

Shala kishte shkruar edhe një kolumne në Express, me të cilën u pat bërë thirrje liderëve të partive politike të ulen të bisedojnë “drejtpërdrejt rreth tavolinës, pa kamera, me zë normal, duke shfaqur gatishmërinë për t’u marrë vesh”.

Madje, udhëheqësi aktual i AAK’së kishte thënë se në kushte normale do të duhej Presidentja të merrte rolin unifikues dhe t’i thërriste partitë politike për të arritur një marrëveshje për tejkalimin e krizës.

“Por, kësaj radhe punët qëndrojnë ndryshe: Presidentja është pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes së tij”, kishte shkruar Shala.

Reforma zgjedhore dhe kushtetuese kishte nisur pas marrëveshjes PDK-LDK-AKR për zgjedhjen e Atifete Jahjagës në krye të shtetit, kur pastaj partitë politike u patën pajtuar të ndryshojnë ligjet sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme dhe Kushtetutën sa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit.

Por, propozimi për shkurtimin e mandatit të Presidentit me amendament kushtetuese ishte konstatuar se është jokushtetuese. PDK kishte përkrahur vendimin e Gjykatës, kurse LDK dhe AKR patën kërkuar largimin e Presidentes për t’iu hapur rrugë reformës.

Presidentja ka deklaruar disa herë se nuk e ka në plan të largohet për aq kohë sa nuk merren vesh partitë politike për mënyrën se zbatimit të marrëveshjes.

Ndërkohë edhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore në mënyrë që Kosova të ketë sistem dhe ligj të ri për zgjedhjet e reja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›