AAK në Mitrovicë e do Ramushin në shtëpi për 100-vjetor
Daut Haradinaj, anëtar i kryesisë së AAK-së dhe deputet në Parlamentin e Kosovës, ka thënë se para 100 vjetësh shqiptarët i bashkoi Vlora, dikur qyteti i Prizrenit, ndërsa sot i bashkon Mitrovica.
Sipas tij, nuk ka shqiptar që nuk bashkëjeton me problemin e Mitrovicës, derisa u shpreh se këtij problemi duhet t’i vjen fundi njëherë e përgjithmonë.
“Serbëve në veri duhet ofruar mundësinë për të jetuar si çdo qytetar tjetër i vendit, ndërsa ata duhet të pranojnë realitetin e krijuar këtu. Ata që bëjnë probleme në veri, do t’i godasë dora e hekurt”, ka thënë mes tjerash Haradinaj, duke shtuar se shteti ligjor nuk bënë kompromis me ata të cilët e pengojnë ligjin.
Ai potencoi se Mitrovica nuk guxon në asnjë mënyrë të mbetet përjetësish në gjendje çfarë është sot, derisa u shpreh të jetë optimist se qytetarët e saj i presin ditë më të mira.
Ndërkaq, Genc Begolli, kryetar i Forumit Rinor të AAK-së, tha se Kosova ende nuk e ka përfunduar shtetësinë e saj.
Sipas tij, ligjshmëria ende nuk është bërë normë, ndërsa investimet e jashtme dhe zhvillimi ekonomik kanë nevojë për garantues demokratik dhe lider energjik.
“Ardhja e Ramushit në Kosovë dhe 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve ka një të përbashkët, rritjen e dinjitetit të shqiptarëve kudo që janë, përmes vlerave të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit për të gjithë”, ka thënë Begolli.
Në fund të kësaj ceremonie u shfaq një program i pasur kulturo-artistik nga anëtarët e Ansamblit ‘Trepça’. /kosovapress/