Akuzat e PS për prerjen e pemëve, Bashkia: Po zgjerojmë rrugën
Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj akuzave të këshilltarëve të PS-së për prerjen e pemëve në Parkun Kombëtar, pranë rrugës së Elbasanit. Në një deklaratë për shtyp, bashkia ka theksuar se PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin përpara interesit qytetar.
“Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës” thekson Bashkia.
Sipas saj, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. “Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth - rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës” thuhet në deklaratë.
Sipas bashkisë, gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. “I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit” thuhet në reagimin e Bashkisë.
Më herët Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës i kërkuan prokurorisë të nisë sa më parë hetimin për prerjen e një sasie të madhe pemësh në Parkun Kombëtar, pranë rrugës së Elbasanit. Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ishte sot gjatë paradites pranë zonës ku një ditë më parë janë prerë dhjetra pemë, përballë fakultetit të histori – filiologjisë në kryeqytet.
“I kërkojmë kryebashkiakut Basha të bëjë publik vendimin se ku e ka bazuar këtë ndërhyrje të pandodhur më parë. Këshilltarët e opozitës nuk kanë asnjë dijeni apo vendimarrje për goditjen e Parkut Kombëtar. Basha të mos fshihet pas njoftimeve
për shtyp, pasi ky është një akt i papranueshëm”, deklaroi Dalipi.
Sipas të majtëve, Prokuroria duhet të administrojë menjëherë provat e veprimit të Bashkisë.