E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzat e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, reagon KLP: Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike minon parimet e demokracisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, ka reaguar pas akuzave që kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë ndaj prokurorit Ols Dado.

Përmes një deklarate ditën e djeshme, Veliaj pretendoi se prokurori Dado i ishte drejtuar me fjalën “ndyrësirë” në seancën gjyqësore, pretendim i hedhur poshtë nga GJKKO.

Përmes një deklarate KLP kërkon që të ndalen sulmet, etikimet denigruese dhe përpjekjet për presion ndaj prokurorëve të SPAK, veçanërisht Ols Dados.

KLP shton se çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë.

Deklarata e KLP 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.

KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. KLP rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike të raportimit nga mediat, duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik, për të shmangur çdo formë dezinformimi që mund të ndikojë në integritetin e proceseve gjyqësore. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›