E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Akuzat për komplot pas zgjedhjeve të 2020-ës, Trump: Ndaleni këtë gjueti shtrigash!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur “gjueti shtrigash” aktakuzën e re të ngritur nga prokurorët federalë se ai tentoi të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Trump u akuzua të martën se përdori ambiciet për pushtet për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA. Çështja më e fundit penale për ish-presidentin vjen vetëm disa javë pasi ai u akuzua për keqpërdorim të dokumenteve të sigurisë kombëtare.

Me një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se pavarësisht padive kundër tij, mbështetja popullore për të sa vjen e rritet.

“Provat janë shumë qartësisht në favorin tim dhe e nxjerrin vërtet keq Prokurorin partiak dhe të urryer. Juria e madhe po thotë prisni, ne nuk jemi këtu vetëm për të vulosur… kundër gjithë ekspertëve ligjorë që thonë se nuk ka vend për padi. Ndaleni këtë gjueti shtrigash, tani!” u shpreh ish-presidenti republikan.

Aktakuza, e ngritur në gjykatën federale të qarkut në Uashington, e ngarkon Trump me komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, për të penguar procedurën zyrtare, pengimin dhe përpjekjen për të penguar procedimin zyrtar dhe të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.

45 faqet e aktakuzës së ngritur nga prokurori i posaçëm, Jack Smith, shpjegojnë në detaje se si Trump dhe aleatët e tij përhapën me vetëdije pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe u përpoqën të bllokonin certifikimin e zgjedhjeve më 6 janar.

Aktakuza rendit gjithashtu gjashtë bashkëpunëtorët, të cilët luajtën rol qendror në komplotin për të mbajtur Trumpin në detyrë. Sipas BBC, ndërsa bashkëpunëtorët janë të paidentifikuar, përshkrimet e pesë nga gjashtë të akuzuarve përputhen me ato të avokatëve të Trump, Rudy Giuliani, Sidney Powell, John Eastman, Ken Chesebro dhe ish-zyrtarit të departamentit të drejtësisë amerikane, Jeff Clark.

“Pavarësisht se kishte humbur, i pandehuri ishte i vendosur të qëndronte në pushtet. Pra, për më shumë se dy muaj pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor 2020, i pandehuri përhapi gënjeshtra për mashtrim të qartë me rezultatin në zgjedhje, sepse ishte ai që fitoi. Këto pretendime ishin të rreme dhe i pandehuri e dinte se ishin të rreme. Megjithatë i pandehuri i përsëriti dhe i shpërndau gjerësisht ato – për t’i bërë pretendimet e tij të rreme me vetëdije të duken legjitime, për të krijuar dhe atmosferë intensive kombëtare mosbesimi dhe zemërimi, dhe për të gërryer besimin e publikut në administrimin e zgjedhjeve,” thuhet në aktakuzë.

Kjo është hera e parë që një president amerikan përballet me akuza penale për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›