Akuzat për krime në Kosovë, shefi i ushtrisë serbe padi Kandiçit

Shefi i Shtabit Suprem të Ushtrisë serbe, Lubisa Dikoviç, ka ngritur padi kundër drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasa Kandiç, e cila e kishte akuzuar gjeneralin serb si përgjegjës për krime lufte në Kosovë. Padia është depozituar në Gjykatën e shkallës së Parë në Beograd, në bazë të shtatë pikave të dosjes për Dikoviçin, të cilin në fund të janarit të këtij viti e ka publikuar FDH.
Në dosje thuhet se njësiti 37 i ushtrisë së ish-RFJ-së në Kosovë, nën komandën e Dikoviçit, të cilin Sllobodan Millosheviç e kishte dekoruar me Urdhrin e Heroit Kombëtar, ka kryer krime duke vrarë civilë, duke përdhunuar dhe torturuar femrat.
Dikoviç më pare i ka hedhur poshtë akuzat e Kandiçit si të pavërteta, duke i konsideruar si sulme mbi ushtrinë serbe "si një institucion stabil dhe i respektuar dhe një goditje për funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm", shkruan “Danas”. Edhe ministri serb i Mbrojtjes,
Dragan Sutanovaç, ka hedhur poshtë akuzat e Fondit për të Drejtën Humanitare, duke thënë se janë bërë verifikime para se Dikoviç të emërohej në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se një oficer si Dikoviç nuk është i denjë të jetë shefi i ushtrisë dhe u kërkoi autoriteteve kompetente që presidentit të Serbisë t`i ofrojnë faktet për veprimet e ish-komandantit të brigadës 37 të motorizuar gjatë luftës, si dëshmitë e Gjykatës së Hagës për krimet lufte në zonën e përgjegjësisë së komandantit të luftës.