Akuzohet për blerje votash, Gjykata e Vlorës lë në burg Fredi Belerin! Dosja kalon në SPAK

Gjykata e Vlorës ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, i cili u arrestua të premten (12 maj). Beleri akuzohet për blerje votash, ndërsa po ashtu Gjykata ka vendosur kalimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Në një komunikim për mediat, avokati i Belerit hodhi poshtë akuzat, teksa u shpreh se nuk u provua ekzistenca e listave.
“Për 10 ditë, vlerësimi i masës së sigurisë do të shkojë në SPAK. Nuk u provua ekzistenca e listave, Beleri ishte duke dalë nga lokali, nuk iu kap asgjë në flagrancë”, u shpreh ai.
Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë. Kokaveshi është i shtruar në QSUT ku po merr ndihmë mjekësore, pas probleme shëndetësore. Të dy të arrestuarit kanë pretenduar se nuk janë ndjerë mirë nga ana shëndetësore.
Në nisje të seancës në gjykatën e Vlorës, ishte edhe ambasadorja greke në vendin tonë, Konstantina Kamitsi. Ditën e djeshme (12 maj), Kamitsi zhvilloi edhe një takim me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka në lidhje me këtë çështje, ndërsa reagimi i Greqisë për arrestimin e Belerit ka qenë i ashpër.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e konsideroi si një ngjarje “jashtëzakonisht të pakëndshme”, ndërsa tha se nuk do të tolerojnë në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, ndërsa kërkoi lirimin e “menjëhershëm” të Belerit.
Pas dhënies së vendimit ka reaguar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili akuzoi se Fredi Beleri u la në burg me urdhër të kryeministritEdi Ramës.
“Është një proces i motivuar edhe ekzekutuar në urdhrat dhe porositë e Edi Ramës. Pengmarrja e Belerit vazhdon. Do ta lirojë në mënyrë triumfale vota e nesërme e himarjotëve”, tha ai.
Gjatë ditës së djeshme (12 maj) prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër arresti për Fredi Belerin me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ku sipas tyre “Beleri u kap në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.
Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se ndalimi Bejleri është bërë me urdhër të prokurorisë, ndërsa kërkoi që të mos dilet në përfundime “të nxituara politike”, por të priten provat e drejtësisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme, KQZ bëri me dije se Beleri vazhdon të jetë kandidat dhe se emri i tij do të mbetet në fletën e votimit.
“Në përgjigje të interesit të përfaqësuesve të medias mbi ndalimin/arrestimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Petro Beleri, mbështetur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se në kuptim të Kodit Zgjedhor, si dhe të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”, ai vazhdon të jetë kandidat dhe emri i tij mbetet në fletën e votimit“, njoftoi KQZ.
/rtsh.al/