E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale/ Sot heshtje zgjedhore, nesër qytetarët iu drejtohen kutive të votimit! RTSH transmetim maratonë

Pas një muaji fushatë intensive, kjo e shtunë (13 maj) është heshtje zgjedhore. Subjektet politike zhvilluan të premten takimet e fundit elektorale për zgjedhjet lokale, ndërsa të dielën (14 maj) palët do të garojnë në 61 bashkitë e vendit.

RTSH 24 do të jetë në një transmetim maratonë ditën e zgjedhjeve, që do të fillojë në orën 07:00, ku do të ketë raportime të drejtpërdrejta nga e gjithë Shqipëria, nga fillimi i procesit të votimit, ndërsa po ashtu do të ketë edhe të ftuar që do të analizojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Janë 3.65 milionë shqiptarë që kanë të drejtë të hedhin votën për të zgjedhur 3222 anëtarë të këshillave bashkiake dhe 61 kryetarë bashkish. Në garë për këto vota janë 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, rezulton se në rang vendi janë gjithsej 5213 Qendra Votimi (QV).

Për herë të parë, në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të zbatohet projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik.

Ndërkohë, një mision prej 324 vëzhguesish ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri, të cilët do të shikojnë ecurinë e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu Ambasada amerikane do të ketë 14 vëzhgues, ndërsa BE do të ketë 10 vëzhgues.

Zgjedhjet lokale vijnë pas atyre të zhvilluara në vitin 2019 të cilat u bojkotuan nga opozita e djathtë, duke i lënë fushë të lirë socialistëve, të cilët morën kontrollin e thuajse gjithë bashkive të vendit dhe këshillave bashkiakë. Opozita aktualisht përfaqësohet vetëm në Shkodër, ku kandidati demokrat fitoi në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara në mars të vitit 2022.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›