Akuzohet për terrorizëm, ish-kryeministri i Pakistanit paralajmëron: Përgatituni, do marr masa

Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan akuzohet se ka shkelur ligjin anti-terror duke kërcënuar policinë dhe një gjyqtar. Sipas BBC, Khan humbi pushtetin në një votë mosbesimi në muajin prill. Ai ka organizuar protesta popullore antiqeveritare, duke përshkallëzuar tensionet politike në vend teksa kërkon të kthehet në detyrë.
“Duhet të përgatiteni gjithashtu pasi ne do të marrim masa kundër jush”, tha ai në fjalimin, duke iu referuar drejtpërdrejt dyshes. Ish-udhëheqësi pretendon se qeveria po përpiqet ta censurojë atë. Zyrtarët akuzuan Khan për shkelje të aktit anti-terror të vendit, për kërcënime kundër zyrtarëve shtetërorë.
Qindra mbështetës të ish-kryeministrit u mblodhën jashtë shtëpisë së tij në Islamabad pas publikimit të lajmeve për hetimin ndaj tij, duke u zotuar se do të “marrin në dorë” kryeqytetin nëse policia përpiqet ta ndalojë atë. Policia e pranishme në vendngjarje tha se nuk ishte aty për të arrestuar ish-udhëheqësin, por për të ruajtur rendin.
/rtsh.al/