E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Megrahi pritet me festime në atdhe

Abdulbasit al Megrahi u kthye dje në atdhe pasi autoritetet skoceze e liruan atë për arsye njerëzore, pasi vuante nga kanceri vdekjeprurës në prostat.

Djali i udhëheqësit të Libisë, Muamar Gadafi tha se ka fakte të reja dhe të konsiderueshme që tregojnë për pafajësinë e Megrahi. Seif al Islam Gadafi tha se vendimi i Megrahit për të hequr dorë nga një apel i dytë kundër dënimit, nuk e bënte atë fajtor.

Qindra njerëz e përshëndetën Megrahin në aeroportin e Tripolit, nga ku u çua për të parë nënën e tij 95 vjeçare, që ende nuk e di se i biri vuan nga një kancer vdekjeprurës.

Ndërsa Televizioni libanez e transmetoi kështu lirimin e tij: “"Qëndrimi i Libisë, që këmbënguli se shtetasi libian, Abdulbasit Ali al Megrahi ka qenë një peng politik, sipas të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, është kurorëzuar me kthimin e tij të atdhe pas lirimit nga burgu."

Reagimi në SHBA
Pjesa më e madhe e 270 personave që humbën jetën në Lockerbie më 1988 ishin amerikanë. Shumë prej të afërmve të tyre reaguan me zemërim ndaj vendimit për lirimin e libianit Abdulbasit al Megrahi. Disa thanë se ishin të ofenduar nga skenat festive që shoqëruan mbërritjen e tij në atdhe.

Presidenti Obama e përshkroi si gabim lirimin e tij.

Skenat festive në Libi u ritransmetuan në televizionin amerikan duke shokuar të afërmit e personave që humbën jetën në fluturimin 103 të avionit të kompanisë Pan Am si edhe duke zemëruar komentatorët amerikanë.

Kjo nuk është ajo që dëshironte Shtëpia e Bardhë, sikurse e bëri të qartë edhe presidenti Obama gjatë një interviste të regjistruar para se Abdulbasit Al Megrahi të mbërrinte në Tripoli.

Familjet amerikane të 189 viktimave të bombës në Lockerbie kanë frikë se kthimi në Libi i zotit Al Megrahi, është kapitulli final i kësaj historie.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›