Al Qaida apelon për sulme të reja kundër SHBA-së

Al-Qaida në Gadishullin e Arabisë tha se kërkon që zjarret të digjen në ambasadat amerikane në mbarë botën arabe.
Disa pjesë të botës arabe iu kthyen qetësisë, pas dhunës që shkaktoi vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi ,bashkë me 3 diplomatë të tjerë amerikanë dhe të paktën 5 demonstrues.
Nën presionin intensiv të Washingtonit, forcat e sigurisë në Egjipt kanë arrestuar qindra protestues përreth Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kajro. Protestat që tronditën rajonin në javën që shkoi, duket se janë qetësuar, të paktën përkohësisht, shkruan gazeta “New York Times”.
Sipas saj, kryeministri i Egjiptit, Hisham Kandil, ka vizituar Ambasadën Amerikane dhe ka shprehur keqardhje për fajësimin e madh të saj, në lidhje me filmin anti-islamik.
Megjithatë, Kandil i ka bërë thirrje Perëndimit “që të arrijë ekuilibër në mes të lirisë së shprehjes dhe të ruajë respektin për besimet e njerëzve të tjerë”.
Ai ka thënë se “dhuna është shkaktuar nga një numër i vogël njerëzish, që bëjnë punë të papërgjegjshme”, porse “autoritetet do të bëjnë gjithçka të mundur për të ndaluar përsëritjen e saj”.
Sipas gazetës amerikane, dhuna ka nxitur dyshime për qëndrueshmërinë politike në Egjipt, Tunizi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, të sapodala nga regjimet autoritare.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka dënuar dhunën.
“E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për njerëzit e të gjitha besimeve. Ne mbështesim liritë fetare dhe refuzojmë fyerjen e çdo feje, përfshirë edhe Islamin. Megjithatë, kurrë nuk ka justifikim për dhunën”, ka thënë Obama.
Udhëheqësit politikë dhe fetarë në botën arabe po ashtu kanë bërë thirrje për qetësi. Në Arabinë Saudite, ku nuk janë raportuar protesta, myftiu i madh ka thënë se “është e ndaluar të fajësohen të pafajshmit për krime të liga”.
Protestat në Libi, Egjipt, Sudan, Tunizi, Jemen, Afganistan, Pakistan dhe vende të tjera të botës myslimane, janë nxitur nga filmi “Pafajësia e Myslimanëve”, i cili është bërë në SHBA dhe tall Muhamedin.
Departamenti amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e gjithë personelit jo-emergjent të qeverisë nga Tunizia dhe Sudani, një ditë pasi ambasadat e tij në këto dy vende janë sulmuar dhe dëmtuar nga protestuesit.
Deklarata nga Washingtoni paralajmëron qytetarët amerikanë “kundër udhëtimit drejt Tunizisë në këtë kohë”, ndërsa paralajmëron edhe për rreziqet e udhëtimit në Sudan, ku niveli i kërcënimit terrorist “mbetet kritik”.
Në anën tjetër, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, tha se SHBA-ja është në rrugë e sipër rrugë të dërgojë ushtarë në 17 ose 18 vende në botën islame, që të mund t'u përgjigjen trazirave të shkaktuara nga filmi amerikan.
"Duhet të jemi të gatshëm në mënyrë hipotetike, për situata kur ato demonstrata dalin nga kontrolli", deklaroi Panetta. Ai nuk dha hollësira tjera për planin.