Messi, para Ronaldos

Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo? Cili prej tyre është futbollisti më i mirë në botë? Ky është debati që tashmë disa vite dominon në sportin më të popullarizuar në botë. Shumëkush ka dhënë mendimin e tij, dikush për argjentinasin e të tjerët për portugezin.
Por, gjithnjë interesant është mendimi i atyre që konsiderohen kampion dhe ikona të futbollit. I tillë është ish sulmuesi brazilian Ronaldo. “Preferoj Messin, sepse është futbollist i cili na mahnit më tepër, tregon më tepër kreativitet, edhe pse është nga Argjentina, shtet që ndan rivalitet të madh me Brazilin”, deklaroi Ronaldo gjatë një interviste për CNN.com.
Sikurse Messi, 35 vjeçari është tre herë fitues i Topit të Artë dhe kaloi karrierë të suksesshme në klube si Barcelona, Inter dhe Real Madrid duke fituar dy tituj në ligë me kampionin në fuqi të La Ligës. Ronaldi i cili përfundoi karrierën e tij në Corinthians në shkurt 2011 shpesherë kishte vuajtur nga lëndimet e gjurit.
Pika e tij kulmore erdhi në Kampionatin botëror 2002 në Japoni. Ronaldi inspiroi Brazilin drejt titullit të pestë dhe rrëmbeu Këpucën e Artë me tetë gola, përfshirë dy në finale kundër Gjermanisë.
“Ishte përvojë e jashtëzakonshme. Sidomos pas 1998-ës ku humbëm në finale nga Franca. Të gjithë mbetëm me shije të hidhur në gojë. Pastaj erdhi Botërori 2002 me pritje të mëdha dhe faleminderit prej Zotit ne arritën deri në finale ku mposhtëm Gjermanisë. Shënova dy herë në finale, ishte e paharrueshme”, shtoi ai.
Me gjithë sytë te Brazili që përgatitet të jetë nikoqir i Kampionatit të ardhshëm Botëror më 2014, Ronaldo ka thënë se shteti i tij përballet me sfida në të dyja frontet.
“E para, organizimi i Kampionatit botëror që është sfida më e madhe nga aspekti i organizimit në mbarë shtetin. Botërori sot është shumë ngjarje komplekse për tu organizuar”, theksoi Ronaldo i cili thekson se një tjetër sfidë do të jetë përmbushja e parashikimeve të shtetit të qmendur pas futbollit.
“Njerëzit në Brazil kanë pritje të mëdha për fitimin e titullit në shtetin tonë dhe jam i sigurt se deri atëherë ne mund të luftojmë për të, skuadra jonë do të jetë konkurrente”, theksoi ai. Shtimi i yllit të gjashtë në fanellën e famshme të verdhë do të jetë i vështirë, Brazili humbi nga Holanda në qerekfinale të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, por jo e pamundur, beson Ronaldo.
“Mendoj se në fitoret e fundit më 1994 dhe 2002, ekipi ishte krijuar një vit më herët. Andaj mendoj se ende kemi kohë. Kemi Neymarin, i cili është talent i madh, Pato, Thiago Silva, i cili është mbrojtës i shkëlqyeshëm. Ganso, Oscar. Kemi skuadër shumë të re por që luan në nivelin më të lartë dhe kjo na jep shpresë të madhe për fitore”, vazhdoi ai.
Megjithatë, Ronaldo këshilloi Neymarin, i cili luan për klubin brazilian Santos, të nënshkruajë për një skuadër evropiane në mënyrë që të arrijë nivelin e Messit dhe Cristiano Ronaldos. “Mendoj se Neymar ende ka një fazë për të garuar, të luajë në Evropë dhe të triumfojë duke luajtur në Evropë”, përfundoi Ronaldo.