E Hënë, 2 Nëntor 2026

Alarm për cunami në Japoni, Ambasada e Shqipërisë në Tokio thirrje shtetasve shqiptarë: Ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale

Ambasada e Shqipërisë në Tokio u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të ndjekin dhe zbatojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, pas alarmit të ngritur për një cunam.

Në Japoni, dy milionë qytetarëve u është komunikuar urdhër evakuimi si pasojë e tërmetit me magnitudë 8.7 të shkallës Rihter që goditi bregun lindor të Rusisë, duke sjellë në veri një valë cunami prej 1.3 metrash në prefekturën veriore të Iwate.

Në këtë kuadër, në rast nevoje për ndihmë, Ambasada ka publikuar adresa dhe numra kontakti.

“Në vijim të paralajmërimeve të autoriteteve japoneze për tsunami në disa rajone të vendit, iu bëjmë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Japoni të ndjekin me vëmendje informacionet e publikuara dhe të respektojnë me përpikmëri udhëzimet e autoriteteve lokale.

📢 Në rast nevoje ju lutemi të kontaktoni:
📧 embassy.tokyo@mfa.gov.al
WhatsApp: +81 70 9023 3905
📞 +81 80 4357 2971“, thuhet në njoftim.

Një paralajmërim për cunami deri në 3 metra është lëshuar përgjatë bregdetit të Paqësorit të Japonisë nga Hokkaido në Prefekturën Wakayama. Cunami është vërejtur në zona të gjera përgjatë bregdetit, duke përfshirë një valë 1.3 metra në Portin Kuji në Prefekturën Iwate. Ndërkohë trafiku ajror dhe hekurudhor është ndërprerë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›