E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm për protestat në Francë, mobilizohen 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie, pritet të mblidhen deri në 30 mijë qytetarë në Orleans

Franca është përfshirë nga masa të shtuara sigurie këtë të shtunë, më 24 tetor, për shkak të protestave të zhvilluara në disa qytete të vendit, vetëm një javë pas përplasjeve dhe akteve të dhunës të regjistruara më 17 tetor.

france-orleans-mak

Qeveria franceze ka mobilizuar 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie për të parandaluar incidente të reja, ndërsa në fokus të autoriteteve është qyteti i Orleanit, ku pritet të mblidhen deri në 30 mijë protestues kundër kongresit të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN), të drejtuar nga Marin Lë Pen dhe Jordan Bardela.

Në këtë qytet, kryebashkiaku Serzh Gruar ka njoftuar vendosjen e një ndalimi të qarkullimit për fëmijët nën moshën 15 vjeç, për dy net radhazi, nga ora 21:00 deri në orën 06:00. Masa do të zbatohet në të gjithë territorin e bashkisë, me synimin për të parandaluar përplasjet dhe dëmtimin e bizneseve.

Për garantimin e sigurisë në Orlean janë angazhuar 3 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie. Sipas vlerësimeve të autoriteteve vendore, në protestën e së shtunës pritet të marrin pjesë nga 20 mijë deri në 30 mijë persona, të cilët do të mbërrijnë nga rajone të ndryshme të Francës.

Protesta e së shtunës është autorizuar nga autoritetet dhe pritet të përfundojë deri në orën 13:00. Ndërkohë, një tubim tjetër i planifikuar për të dielën është ndaluar, vendim që është konfirmuar edhe nga gjykata administrative.

Paralelisht, në Paris ka nisur një përplasje mes sindikatave dhe autoriteteve policore për itinerarin e marshimit të planifikuar. Prefektura e policisë njoftoi në momentin e fundit ndryshimin e rrugës së protestës, e cila fillimisht ishte parashikuar të niste nga Sheshi i Bastijës dhe të përfundonte në Sheshin e Kombit.

Autoritetet kërkuan që marshimi të zhvillohej mes Porte de Vincennes dhe Porte d’Italie, larg itinerarit të miratuar fillimisht. Komiteti ndërsindikal i rajonit Ile-de-France e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të njëanshëm dhe të papranueshëm.

Ndërkohë, është ndaluar edhe një protestë tjetër e planifikuar nga organizatat studentore dhe grupet e “Jelekëve të Verdhë”, e cila do të zhvillohej nga Bastija deri te Opera.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, njoftoi se në operacionin e sigurisë do të marrin pjesë 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie, kundrejt 60 mijë të angazhuar më 17 tetor.

Plani përfshin edhe njësi speciale si RAID, GIGN dhe BRI, rreth 20 automjete të blinduara Centaure dhe 15 autobotë uji.

Autoritetet kanë paralajmëruar ndërhyrje të menjëhershme në rast të plaçkitjeve, zjarrvënieve apo sulmeve ndaj ndërtesave publike. Sipas qeverisë, në rrjetet sociale janë publikuar thirrje për akte të reja dhune, çka ka shtuar shqetësimin për zhvillimin e protestave.

Kufizime janë vendosur edhe në qytete të tjera të Francës. Në Lion janë ndaluar protestat në një pjesë të madhe të qendrës, ndërsa masa të ngjashme janë marrë edhe në Limozh, Tuluzë dhe Bordo. Në Marsejë është lejuar një tubim sindikal, por janë njoftuar kufizime të qarkullimit gjatë fundjavës.

Në Paris, disa prej institucioneve kryesore kulturore, mes tyre Luvri, Muzeu Orse, Muzeu Pikaso, Grand Palais, Petit Palais dhe Muzeu i Oranzherisë, kanë njoftuar se do të qëndrojnë të mbyllura këtë të shtunë.

Masat e sigurisë kanë shkaktuar reagime politike në Francë. Shtatë parti të së majtës iu drejtuan të premten Këshillit të Shtetit, duke kundërshtuar qëndrimet e qeverisë për kufizimin e protestave.

Kundërshtarët e masave argumentojnë se parandalimi i akteve të dhunës nuk duhet të përdoret si arsye për të kufizuar në mënyrë të përgjithshme tubimet paqësore.

Nga ana tjetër, qeveria franceze mbron vendimet e marra, duke theksuar se ato synojnë garantimin e sigurisë së qytetarëve, forcave të rendit dhe infrastrukturës publike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›