Alarmi, 6.2 milionë gojë të uritura presin ndihma urgjente
Qeveria e Etiopisë i ka kërkuar me ngut komunitetit ndërkombëtar një ndihmë urgjente në ushqime për 6.2 milionë njerëz. Kërkesa ka ardhur në një takim të donatorëve për të diskutuar në lidhje me ndikimin e thatësirës së tejzgjatur që ka prekur disa zona të Afrikës. Programi i OKB-së për ushqimin bëri të ditur se për muajt e ardhshëm do të duhej një fond prej 285 milionë dollarësh dhe se pavarësisht kësaj ndihme, numri i të uriturve pritet që të rritet. Disa agjenci të tjera kanë kërkuar për gjetjen e mënyrave të tjera për përballimin e krizës, që të jenë më konstruktive dhe më afatgjata. Në një raport që ka dalë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së mbi 1 milion etiopianëve nga uria, Oksfam tha se ushqimi që vjen si ndihmë në gojët e uritura i shpëton ato jetë për një kohë të shkurtër, por nuk mund të përbëjë kurrë një zgjidhje të përhershme dhe për më tepër nuk mund të ndihmojë komunitetet e ndryshme të përballen me krizën e radhës. Raporti bën thirrje ndaj gjithë komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar situatat katastrofike para se ato të ndodhin, që do të thotë krijimin e politikave konstruktive dhe afatgjata të ndihmave jo të drejtpërdrejta ndaj popullsive, por që kanë për qëllim krijimin e kushteve të mira të jetesës dhe të punës. "Thatësira nuk është e thënë që të nënkuptojë uri dhe shkatërrim", tha drejtori i përgjithshëm i Oksfam, i cili sapo ishte kthyer nga Etiopia. Ky vend është goditur herë pas here gjatë dhjetëra viteve të fundit, nga kriza shumë të mëdha të urisë, që në fakt prekin thuajse gjithë zonën e kepit të Afrikës. Muajin e fundit, Oksfami lëshoi një apel emergjence për të gjithë rajonin e Afrikës Lindore, ku sugjeroi se 23 milionë njerëz që jetojnë në 7 vende të ndryshme të zonave më të prekura nga thatësira janë nën një kërcënim të vazhdueshëm. Shumë organizata që po bëjnë thirrje për ndihma në rajon janë të vetëdijshme se reduktimi i ndihmave për shkak të krizës botërore është një nga faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës. Veçanërisht tragjike është situate në Etiopi dhe Eritre, ku është shumë e vështirë edhe mbledhja e të dhënave, për shkak të kufizimeve në lëvizje. Thatësira e shkaktuar nga reshjet shumë të pakta të këtyre viteve të fundit janë përkeqësuar edhe nga konfliktet e armatosura, ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë.