"Qeveria është e vendosur të sigurojë progres"
Sapo u kthye nga vizita e tij në Itali, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se "qeveria është e vendosur të shënojë progres në të gjitha fushat, jo vetëm në ato ku është vlerësuar me nota pozitive në mënyrë të veçantë, por edhe më shumë, aty ku ka mundësi të pashfrytëzuara si duhet, për të ecur drejt një stadi më të lartë". Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat të bëra ndonjëherë në Shqipëri dhe kanë plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare. "Natyrisht që ka vend për progres dhe ju e dini shumë mirë, se qëndrimi ynë ka qenë dhe është shumë i hapur edhe në drejtim të kërkesave të opozitës. Ajo është e mirëpritur të marrë edhe shumicën e një komisioni parlamentar, i cili mund të investigojë brenda hapësirave që njeh legjislacioni ynë dhe që garanton Kushtetuta, por në mënyrë të veçantë ne do t‘i ftonim që të propozojnë dhe të bëjmë përmirësime, në mënyrë që zgjedhjet e tjera të jenë më të mirat që mund të bëhen edhe në Europë", vlerësoi Meta.