Karaxhiç rrezikon procesin: Dua më shumë kohë për mbrojtjen
Gjykatësit e Gjykatës së Krimeve të Luftës në Jugosllavi janë përpjekur dje të rivendosin kontrollin në rastin e gjykimit të ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Karaxhiç, duke bërë të ditur se gjykimi i tij do të vazhdojë sipas parashikimeve. Kjo, pavarësisht kërcënimit të Karaxhiçit për ta bojkotuar. Ai është akuzuar me 11 akuza, përfshi gjenocidin në lidhje me krimet e luftës gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992-1995. Të mërkurën, Karaxhiç e informoi Gjykatën në Hagë se ai nuk do të shfaqej në gjykatë për seancën e parashikuar për të hënën e ardhshme. "Ky proces nuk është i gatshëm të nisë, për faktin e thjeshtë se mbrojtjes nuk i është dhënë koha dhe burimet e mjaftueshme për t‘u përgatitur", ka deklaruar Karaxhiç në kërkesën e tij. Por, sipas gjykatës, gjyqi do të vazhdojë sipas parashikimeve. Ky është rasti më i rëndësishëm për këtë gjykatë që pas atij të gjykimit të ish-liderit serb Millosheviç, i cili ndërroi jetë ende pa marrë dënimin. Zëdhënësja e gjykatës tha se seanca do të fillonte të hënën dhe se gjykatësit e kanë pohuar një fakt të tillë. Kjo do të thotë që gjykimi i Karaxhiçit mund të nisë edhe pa praninë e tij në sallë. Karaxhiç ka deklaruar vazhdimisht se atij nuk i është dhënë mjaftueshëm kohë për të përgatitur një mbrojtje të denjë dhe së fundi ai dështoi edhe në kërkesën e tij për ta shtyrë gjyqin edhe 10 muaj të tjerë. Sipas një profesori të ligjit ndërkombëtar, gjykata ka disa opsione, sipas së cilave mund të veprojë në rastin e një bojkoti të mundshëm të të pandehurit, përfshi vonesën e çështjes apo emërimin e një personi që do të përfaqësojë Karaxhiçin. Vendimi për një rast të tillë do të merret të hënën. Karaxhiç ka pasur 15 muaj për të përgatitur mbrojtjen e tij, çka do të thotë se sipas specialistëve ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të zhvilluar procesin. Ai është akuzuar për gjenocid në lidhje me masakrën e Srebrenicës, ku u masakruan 8000 burra e djem boshnjakë nga serbët e Bosnjës. Ai akuzohet edhe për organizimin e rrethimit 43 mujor të Sarajevës. Gjatë luftës së Bosnjës u vranë mbi 100 mijë persona përmes politikave gjenocidiale dhe spastrimeve etnike.