E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi fals,rikthehet në Athinë avioni

Një alarm fals për bombë ka bërë që avioni i kompanisë ruse të fluturimeve 'Aeroflot', që ishte nisur nga Athina për në Moskë, të kthehej mbrapsht në aeroportin e kryeqytetit grek. Avioni u ul në mënyrë urgjente në aeroportin e Athinës, përpara se të kontrollohej më pas nga policia vendase. Por nga kërkimet policore nuk u gjet asnjë lëndë eksplozive. Avioni A-319, në bordin e të cilit gjendeshin 49 pasagjerë, kishte fluturuar për rreth një orë, kur zyrtarë nga aeroporti ndërkombëtar i Athinës 'Elefterios Venizelos' urdhëruan që të kthehej mbrapsht. Një zyrtar grek i aviacionit civil deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters se një person i panjohur kishte telefonuar duke thënë se në avionin e 'Aeroflot', nisur nga Athina për në Moskë, ishte vendosur një bombë. Sipas tij, në momentin që u urdhërua të kthehej, avioni ndodhej pranë kufirit greko-turk. Menjëherë pas uljes në pistë, pasagjerët u evakuan me shpejtësi dhe policët filluan kërkimet, por dështuan në gjetjen e ndonjë eksplozivi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›