E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak,shtyhet votimi për ushtarët e huaj

Parlamenti irakian ka shtyrë votimin e rezolutës që iu lejon forcave britanike dhe të huajve të tjerë, jo amerikanë, që të qëndrojnë në Irak edhe pas përfundimit të mandatit të OKB-së, që skadon në fund të muajit. Moszgjidhja e kësaj çështjeje përpara afatit, do të thotë se trupat nuk do të kenë një bazë ligjore për të qëndruar në Irak. Parlamenti nuk pritet që të mblidhet në seancë deri më 7 janar të vitit të ardhshëm. Kryetari i tij, Mahmud al Mashadani, bëri thirrje për shtyrje të votimit, pasi disa deputetë kërkuan që ai të jepte dorëheqjen lidhur me një tjetër çështje. Forcat amerikane mbulohen nga një status i veçantë që iu lejon atyre të qëndrojnë deri në fund të vitit 2011. Ditën e shtunë deputetët kundërshtuan një projektligj për të njëjtën çështje. Udhëheqësit e partive kryesore politike të Irakut ranë dakord për votimin e një rezolute, si një mënyrë për të shmangur kundërshtimin e projektligjit për trupat e huaja. Marrëveshja është shumë e rëndësishme, pasi iu ofron trupave të huaja bazën ligjore të qëndrimit në Irak edhe pas datës 31 dhjetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›