Alarmi i KQZ: PS e PR po vonojnë komisionerët
TIRANE- Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve rrezikohen të ngrihen jashtë afateve ligjore, duke cënuar kësisoj standardet e procesit elektoral të 28 qershorit. "Gazeta Shqiptare" shkruan sot se shkak për këtë po bëhet vonesa e dorëzimit të listës së komisionerëve nga ana e Partisë Socialiste dhe asaj Republikane, të cilat vazhdojnë të ndjekin ritmet e zgjedhjeve të kaluara duke i bërë publike emrat në minutat e fundit. Ndryshe nga këto forca politike, Partia Social-Demokrate ka plotësuar me përfaqësuesit e saj të paktën 53 KZAZ-e nga 66 të tilla që do ngrihen në të gjithë vendin. Më korrekte në zbatimin e ligjit rezulton të jetë Partia Demokratike, që prej disa ditësh e ka depozituar të plotë në KQZ, listën e komisionerëve të saj.
Kodi Zgjedhor sanksionon se në rastin kur dy partitë e mëdha që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, atëherë ajo u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, i gjithë territori i Shqipërisë është ndarë në 66 KZAZ. Këto komisione kanë në përbërjen e tyre 7 anëtarë, prej të cilëve; 2 i ka PD-ja dhe po kaq PS-ja, ndërsa PR-ja dhe PSD-ja përfaqësohen secila me një anëtar. Në 33 KZAZ-të me numër tek, anëtarin e shtatë do ta ketë PS-ja dhe në 33 të tjerat me numër çift, PD-ja. Në total, të 66 komisionet do të kenë 462 anëtarë, prej të cilëve 165 do t’i kenë demokratët dhe po kaq socialistët. Ndërkohë që socialdemokratët dhe republikanët do të kenë respektivisht nga 66 komisionerë gjithsej.
Në bazë të Kodit Elektoral, KZAZ-ja përgjigjet për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, verifikon informacionet ose pretendimet e subjekteve zgjedhore në zonë, afishon në një vend të dukshëm listat përfundimtare të zgjedhësve si edhe garanton shpërndarjen në kohë të materialeve të votimit. Këto komisione kanë gjithashtu për detyrë të përgatitin dhe miratojnë tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor dhe t’ia dërgojnë atë KQZ-së.
(s.g/BalkanWeb)