E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i mjekut: Diabeti po prek fëmijët e vegjël. Një obez sot, nesër pacient

TIRANE - Diabeti është shndërruar në një nga sëmundjet më të rrezikshme të kohës ku jetojmë. Ai prek dhjetëra miliona njerëz dhe, është llogaritur që, një e treta e të gjithë njerëzve që kanë diabet nuk janë në dijeni për gjendjen e tyre. Ai është shkaku kryesor i rasteve të reja të verbërisë në mesin e të rriturve nga 20-74 vjeç, dhe është shkaku kryesor i fazës së fundit të dështimit (mosfunksionimit) të veshkave. Specialisti i kësaj fushe, Florian Toti na zbulon disa hollësira rreth kësaj sëmundjeje dhe se cilët janë personat më të predispozuar për t'u prekur.
Sa llojesh janë diabetet?
Diabetin e ndajmë në dy tipe të mëdha: Tipi 1 prek zakonisht fëmijë ose adoleshentë të dobët dhe njihet ndryshe edhe si diabet që s'trajtohet dot pa insulinë. Shenjat dhe simptomat: Pacienti ha shumë, pi shumë, urinon shpesh, humbet peshë. Diabeti i tipit 2, quhet diabeti i të rriturve, i cili ka rezistencë periferike ndaj insulinës. Kjo përbën pjesën më të madhe të rasteve, flasim rreth 80-90% të rasteve. Baza kryesore në këtë rast është shtimi i peshës trupore. Pra, një person i cili ka një bark të dalë dhe ka dhjamë (ai që quhet obeziteti central) është e sigurt që ka një rezistencë periferike të rritur ndaj insulinës dhe, edhe po të mos jetë sot diabetik, mbas 5-10 vjetësh është e sigurt që do të bëhet me diabet. Kemi dhe diabetin e shtatzënisë. Ai shkaktohet në mënyrë hormonale dhe zakonisht është një gjendje e përkohshme që ndodh te gratë shtatzëna. Diabeti i shtatzënisë në përgjithësi është i butë, dhe zakonisht shtrohet me dietë të përshtatshme dhe ushtrime. Rrallë herë e bën pacienten të kërkojë injeksion insuline. Pavarësisht nga natyra e tij zakonisht e përkohshme, ky lloj diabeti duhet të trajtohet me kujdes, sepse nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të jenë të dëmshme për fetusin dhe mund të dobësojnë sistemin imun të tij.
Sa të prekur nga diabeti numërohen sot?
Sot në Shqipëri ka rreth 55 mijë persona të diagnostikuar dhe të trajtuar për diabetin, por që zakonisht thuhet që për çdo person të zbuluar ka dhe 1 ose 2 persona të tjerë që nuk e dinë që janë me diabet. Pra, n.q.se ne flasim për rreth 55 mijë diabetikë të diagnostikuar dhe të trajtuar, duhet të ketë dhe afërsisht rreth 100 mijë të tjerë që janë me diabet, por që nuk e dinë akoma. Dhe është pikërisht ky numër i madh i cili duhet zbuluar sa më shpejt, sepse diabeti nuk është se të dëmton sot për sot, por ai të dëmton mbas 5 apo 10 vitesh, si pasojë e komplikacioneve kronike të diabetit.
Çfarë e ka shkaktuar këtë rritje të numrit të të prekurve?
Njerëzit sot po bëhen gjithmonë e më sedentarë, lëvizin gjithmonë e më pak në këmbë. Është shtuar stresi, është ndryshuar mënyra e të ushqyerit. Njerëzit sot po përdorin ushqimet e shpejta, yndyrnat e ngopura, pijet alkoolike me shumicë, pijet e sheqerosura, të cilat, duke ndryshuar mënyrën e të ushqyerit dhe mënyrën e jetesës, kanë sjellë në fund të fundit shtimin e obezitetit central, rezistencën periferike ndaj sëmundjes dhe shtimin e rasteve të reja me diabet.
Kush janë më të predispozuar të preken, femrat apo meshkujt?
Në përgjithësi rastet e diagnostikuara janë pothuajse 50 me 50. Ka një predominim të lehtë të femrave, por nuk është se është ndonjë raport shumë i rritur ose që përbën ndonjë faktor risku, të jesh femër ose mashkull për t'u prekur. Por ajo që ne po konstatojmë sot është se diabeti fillon që në moshat fëminore. Dhe duke qenë se obeziteti po shtohet që në moshat fëminore, kuptohet që këta obezë, nesër pasnesër do të jenë edhe me diabet. Dhe pikërisht ky, është rezervuari i madh që furnizon rastet e reja të diabetit.
Diabeti, është një sëmundje vdekjeprurëse?
Diabeti, si çdo sëmundje, sjell shumë probleme në organizëm. Diabeti është një sëmundje kronike, që po filloi është për gjithë jetën. Mund të çojë edhe në vdekje. Për fat të mirë nuk është sëmundje që sjell vdekjen e menjëhershme, por ashtu siç kujdesi duhet bërë ditë për ditë, edhe problemet e diabetit, sa më tepër kalojnë vitet, sa më pak kujdesesh për të, aq më të rënda mund të jenë. Në fund mund të çojnë edhe në vdekje. Jo vetë diabeti si sëmundje, por dëmtimi i syve, i veshkave, i enëve të gjakut në zemër, janë pikërisht ato probleme që e bëjnë diabetin të rrezikshëm dhe vdekjeprurës.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›