E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i nivelit 5 në Japoni, 4 viktima pas shirave të rrëmbyeshëm. Kryeministrja Takaichi: Do të qëndrojmë vigjilentë

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të rënda në Japoninë lindore, duke lënë të paktën katër persona të vdekur dhe mijëra familje pa energji elektrike. Autoritetet i kanë cilësuar përmbytjet si të paprecedenta. Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ka reaguar ndaj situatës, duke deklaruar se fatkeqësitë e shkaktuara nga reshjet intensive janë bërë gjithnjë e më të shpeshta vitet e fundit.

Takaichi tha se autoritetet do të qëndrojnë vigjilente dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë dhe institucionet përkatëse për të mbrojtur jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Ajo shprehu gjithashtu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.

Prefektura e Chibës është ndër zonat më të goditura nga reshjet e dendura. Të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa mijëra banorë janë përballur me pasojat e përmbytjeve. Për herë të parë në Chiba, autoritetet meteorologjike japoneze aktivizuan paralajmërimin emergjent të nivelit 5, niveli më i lartë i sistemit të alarmit. Më vonë, alarmi u ul në nivelin 4. Rreth 20 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të motit ekstrem.

Situata ka shkaktuar edhe probleme të mëdha në transport. Mijëra njerëz mbetën të bllokuar gjatë natës në aeroportin Narita, ndërsa shumë të tjerë u detyruan të kalonin natën në stacione treni ose në strehimore të improvizuara.

Autoritetet japoneze e kanë cilësuar situatën e përmbytjeve si “të paprecedentë”, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë operacionet për ndihmën dhe evakuimin e banorëve në zonat e rrezikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›