E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, pse po shtohen në Shqipëri të sëmurët me zemër

Duhan pirja, kequshqyerja dhe jeta sedentare kanë rritur numrin e personave të prekur nga problemet kardiake. Këto sëmundje mbajnë vendin e parë për numrin e vdekjeve në vend. Sipas mjekëve specialistë, përveç ndryshimit të mënyrës së jetesës, teknikat e reja të trajtimit janë sfida më e madhe e sistemit shëndetësor në trajtimin e këtyre sëmundjeve. Këto ishin temat kryesore që u diskutuan në Konferencën Shkencore mbi çështjet e kardiologjisë dhe të kardiokirurgjisë moderne të mbajtur dy ditë më parë në spitalin Hygeia në Tiranë. Në të merrnin pjesë mjekë kardiologë shqiptarë dhe të ardhur nga Athina,të cilët kanë shkëmbyer eksperiencat ndërmjet tyre. I pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Të gjitha ndërhyrjet që mbulojnë 95 për qind të radiologjisë, kryhen sot në Shqipëri me cilësi mjaft të lartë. Sot këtu ofrohen shumë shërbime, gama e të cilëve po shkon duke u kufizuar në ato përqindje normale të shkëmbimit të pacientëve në vende të ndryshme të botës, tha ministri. Në spitalin e ri Hygeia janë kryer tashmë 100 ndërhyrje kirurgjikale, duke shënuar një rekord në Shqipëri, atë të shkallës 100% të mbijetesës për pacientët me ndërhyrje kirurgjikale në zemër.
Ajo që duhet thënë është se shkaku i këtyre sëmundjeve të zemrës lidhet me mënyrën e jetesës, duhan pirjen dhe mënyrën e ushqyerjes si dhe më aktivitetin fizik. Nuk na lejohet ne, vendeve të Ballkanit, që të gabojmë duke lejuar rritjen e të sëmurëve me zemër, duke njohur mirë shkaqet e tyre, nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera të zhvilluara si Britani e Madhe, vendet skandinave e të tjera, ka deklaruar Karatzas Nikos, drejtor i klinikës kardiologjie, Hygeia në Athinë. Sipas tij, spitali Hygeia garanton shërbim të plotë ndaj pacientit me shqetësime kardiologjike që nga parandalimi, diagnostikimi dhe deri stadin e trajtimit të tij, duke ofruar paralelisht siguri maksimale për pacientin.

Bashkëpunimi i bluzave të bardha

Kjo është Konferenca e 3-të Shkencore e organizuar nga HHT-ja. Gjatë konferencës, grupi prej 25 anëtarësh i mjekëve grekë dhe shqiptarë të grupit Hygeia, paraqiti zhvillimet e fundit në fushën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në nivel botëror. Qëllimi ynë ishte dhe mbetet që të sjellim një epokë të re në shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Rezultatet e para na japin forcën që të vazhdojmë duke qenë të fokusuar në të njëjtin objektiv: cilësia e shërbimeve të ofruara dhe siguria e pacientit, u shpreh ministri i Shëndetësisë Vasili, i cili përshëndeti punimet e kësaj Konference.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›