E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qumështi, 390 raste me brucelozë

Kujdes nga qumështi i pakontrolluar dhe nënproduktet e tij.Sëmundja infektive e brucelozës apo siç njihet ndryshe militencës është prezente thuajse në të gjithë rrethet më të mëdha të vendit. Në total, për vitin e kaluar janë zbuluar 390 raste të reja të personave të prekur nga bruceloza. Rekordin e shënon Korça, ku për vitin 2010 janë raportuar 43 persona të prekur. Të dytët në listë renditen Saranda e Vlora me 36 raste, të ndjekura nga Pogradeci me 31 persona të prekur. Nuk mungojnë të prekurit në Veri, por as në Shqipërinë e Mesme dhe Tiranë, ku për vitin që lamë pas numërohen 7 raste të të prekurve nga sëmundja e rrezikshme. Nga sa bëjnë me dije specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, pjesa më e madhe i përkasin zonave rurale. Duhet bërë kujdes nga qumështi i pa zierë mirë apo edhe nënproduktet e tij, si djathi i butë e gjalpi. Përveç kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët, kjo është një nga mënyrat e marrjes së kësaj sëmundjeje, shprehet Dritan Ulqinaku, shefi i sektorit të epidemiologjisë në ISHP. Sipas tij, situata vijon të mbetet problematike, pasi rrethet ku zbulohen më shumë raste tashmë janë kthyer në vatër natyrore. Deri në vitet 90, vendi ynë nuk ka pasur raste me bruceloze dhe mendohet që sëmundja të ketë ardhur nga Greqia. Por tashmë, nga viti në vit numri i rasteve është shtuar. Momentalisht jemi në një konstante prej disa vitesh, sqaron Ulqinaku. Sipas tij, Sëmundja e brucelozës është një nga sëmundjet, të cilat transmetohen shumë thjesht tek njerëzit, por që kërkon shumë kohë për tu kuruar. Njerëzit infektohen në rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar, si dhe nënproduktet e tij. Bruceloza mund të përhapet si tek kafshët, ashtu edhe tek njerëzit, në çdo periudhë të vitit. Nëse një kafshë është e infektuar dhe nuk merren masa për të, atëherë kjo mund të bëhet problem, si tek kafshët e tjera, ashtu edhe tek njerëzit dhe mund të sjellë shfaqjen e sëmundjes. Kjo mund të përhapet në shumë persona të tjerë, të cilët përdorin mishin apo nënproduktet e qumështit. Sipas shefit të shërbimit të Epidemiologjisë, bruceloza prek me shpesh barinjtë, veterinerët dhe kasapët, të cilët kanë kontakt më tepër me kafshët, prandaj quhet sëmundje profesionale. Sëmundja nëse kalon tek njeriu mund të japë një sërë ndërlikimesh. Ndërlikimet janë të ndryshme, në varësi të ecurisë së sëmundjes, pasi mund të ndodh që të preken deri mushkëritë, zemra, mëlçia, aparati linfograndular dhe sistemi nervor (neurobruceloza). Ajo që shfaqet fillimisht është një këputje ose mungesa e fuqisë për të kryer aktivitet fizik. Më pas shfaqen probleme të tjera, të cilat prekin organet e sapo përmendura, thotë Ulqinaku.

Simptomat

- Mungesë të fuqisë për kryerje të aktiviteteve fizike

- Prekja nga bruceloza sjell probleme me mushkërinë

- Shfaqje të problemeve në zemër

- Acarim dhe probleme në laring

- Probleme të sistemit nervor apo neurobruceloza

Këshillat
- Marrje të produkteve ushqimore të sigurta dhe të kontrolluara

- Përpunimi i nënprodukteve të qumështit

- Sterilizim i qumështit në fabrika specifike

- Konsum të mishit, i cili përmban pullë kontrolli

- Përdorim të vaksinës për kasapët, veterinerët
e barinjtë

Bruceloza në Shqipëri

Sëmundja është eksportuar në Shqipëri pas viteve 1990-të, pasi gjatë kohës së monizmit ajo ishte zhdukur plotësisht. Bruceloza quhet sëmundja e Mesdheut, edhe pse Shqipëria është vendi që ka numrin më të madh të të prekurve. Moshat më të prekura janë 18-45 vjeç, por së fundmi janë infektuar edhe moshat shkollore. Arsyeja, sipas mjekëve, është se nxënësit e shkollave rurale pas mësimit punojnë si barinj dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura. Sëmundja trajtohet vetëm në spitale dhe nuk shërohet kurrë plotësisht.

Këshillat për konsumatorët

Specialistët këshillojnë  marrjen e produkteve ushqimore të kontrolluara dhe të sigurta. Më pas, shumë i rëndësishëm është përpunimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij, deri në atë masë sa të mos përbëjë rrezik për konsumatorin. Po kështu, edhe pasterizimi i bollshëm i qumështit, si dhe përdorimi i mishit dhe produkteve të qumështit të kontrolluara nga veterineri, janë një mënyrë mjaft efikase për mbrojtjen nga bruceloza.

Rastet

Berati     8 raste
Delvina     15 raste
Bulqiza     9 raste
Dibra     10 raste
Durrësi     1 rast
Elbasani     10 raste
Korça     43 raste
Librazhdi     3 raste
Mallakastra     9 raste
Përmeti     10 raste
Pogradeci     31 raste
Saranda     36 raste
Skrapari     14 raste
Tepelena     28 raste
Vlora     36 raste

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›