Alban Beqiri, flamurmbajtësi i Shqipërisë

Alban Beqiri do të jetë flamurmbajtësi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Europiane, të cilat që nga 21 qershori zhvillohen në Krakovia të Polonisë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë dhe dorëzimin e flamurit për delegacionin shqiptar, kjo në ceremoninë që është zhvilluar në ambjentet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, kanë përshëndetur sportistët kuqezi.
“Gjithashtu ekipi ynë pretendon të ketë një përfaqësim sa më të mirë edhe në boks, taekundo e karate, madje duke pretenduar medalje. Por nuk ngelen pas edhe qitja, padeli, teqbolli dhe skerma. Sportistët shqiptarë kanë zhvilluar fazën përgatitore intensive e janë gati për këto gara”, ka nënvizuar Fidel Ylli.
“Të gjithë sportistëve unë dua t’i uroj shumë suksese nga zemra. Lojërat janë gjithmonë një mundësi e mirë jo vetëm që sportistët të garojnë e të tregojnë talentin e tyre, por edhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar Shqipërinë”, thekson ministrja Evis Kushi
“Ky është manifestimi më i mirë dhe më i bukur kur do të thotë se kur të gjitha institucionet bëhen bashkë e bëjnë detyrën e tyre siç duhet dhe me shumë përkushtim. Dhe presidentin, i cili tani është miku i të gjithëve, unë do të doja shumë ta vlerësoja për kontributin personal në radhë të parë dhe atë institucional”, shpjegon nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi.
Ndërkohë delegacioni kuqezi është përshëndetur dhe nga ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Monika Zukniak Pazhdan, e cila i ka uruar sportistët në shqip për një qëndrim të këndshëm në Krakovia.
“Ju uroj shumë lumturi e sukses”, thotë shqip ambasadorja polake, Monika Zuchniak Pazdan.
Shqipëria do të përfaqësohet në boks, padel, taekuondo, teqboll, qitje, karate, sikurse dhe në atletikë me ekip të plotë në Kampionatin Ekipor, që zhvillohet në 20-25 qershor në Korzov, por që është i vlefshëm për Lojërat Olimpike Europiane.