Alban Bermeta, boksieri më i mirë në Lah Nimani
Alban Bermeta fiton çmimin si boksieri më i mirë në edicionin e tretë të turneut ndërkombëtar “Lah Nimani” në boks. Në aktivitetin e zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, 18-vjeçari nga Shqipëria ka shpalosur nivel dhe teknikë të lartë boksimi në duelin me kundërshtarin serb, Nersad Miliçeviç, i cili përfaqësonte klubin “Real Rom” nga Graçanica. Në turneun kushtuar legjendarit Lah Nimani, përveç boksierëve nga Kosova e Shqipëria, morën pjesë edhe sportistë nga Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Pas suksesit, Bermeta, boksieri më i mirë turneut, deklaroi: “Ishte një sfidë mjaft e fortë, por arrita ta mbyllja me sukses. Fitorja në këtë përballje, por edhe shpallja si boksieri më i mirë i turneut, më jep kurajë për të ardhmen. Ky është një sukses i madh për mua dhe ndihem i nderuar. Ky çmim më motivon që të punoj edhe më shumë dhe në të ardhmen të arrij suksese edhe më të mëdha”.
#