E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenaria e sportit shqiptar, një libër për Petrit Murzakun

Botimi

Një polisportist, një kampion i padiskutuar, i cili për mbi 20 vjet ka bërë jehonë në sportin shqiptar. Ky ishte Petrit Murzaku, që në karrierën e tij ka praktikuar futbollin, volejbollin, basketbollin, boksin, hendbollin, not, ndërsa ka qenë edhe atlet. Me autor Servet Tartarin, në kujtimin e këtij fenomeni të gjithanshëm të sportit vjen botimi “Petrit Murzaku – ‘Krenaria e sportit shqiptar’”. Në këtë libër shpaloset e gjithë jeta dhe karriera e këtij sportisti të madh. Së pari, ai është angazhuar në sportin e boksit, nga trajneri Ali Kastrati, ndërsa një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe trajneri Rexhep Rama, i cili e angazhoi Petritin si futbollist, ku aktivizohej përkrah emrave si Loro Boriçi, Besim Fagu e Refik Resmja. Falë studimeve në Leningrad, Murzaku shkëlqeu edhe në basketboll, volejboll e atletikë, duke u shpallur kampion për shumë vite dhe ku ka fituar 22 medalje, por edhe mjaft Kupa të Shqipërisë. Si volejbollist, ai ishte një element i rëndësishëm jo vetëm për ekipin e Partizanit, por edhe për Kombëtaren. Një prej momenteve më të spikatura të karrierës së tij ishte në vitin 1955, kur përveçse luante me Partizanin (si lojtar dhe trajner) në finalen e kampionatit të volejt kundër Shkodrës, për herë të parë në karrierën sportive, Murzaku merrte pjesë edhe në hedhjen e shtizës. Në fillim të setit të dytë të ndeshjes, ai paraqitet në garat e atletikës, fiton medaljen e artë dhe vendos një rekord në hedhje shtize që zgjat për 11 vjet. Kthehet në ndeshjen e volejbollit, të cilën të kuqtë e fitojnë 3-1 dhe brenda dy orëve merr medaljen e dytë të artë. Në të njëjtin vit shpallet kampion me Partizanin në basketboll. Më 1955-n, ishte kapiten i Kombëtares së volejbollit në fitoren kundër Finlandës, triumfi i parë i sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Karrierën si sportist e mbylli me 110 takime ndërkombëtare në disa sporte dhe 50 fitore, si askush tjetër, ndërsa më pas shquhet si trajner, pedagog dhe shef katedre i fizkulturës në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›