Berisha: Prokuroria është shndërruar në turp ordiner
Kryeministri Berisha sulmon ashpër nga Kukësi Prokurorinë dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama
Kukës- Kryeministri Sali Berisha ishte dje paradite në qytetin e Kukësit ku mori pjesë në dy inaugurime të fillimit të punimeve për rikonstruksionet e rrugëve, që lidhin Kukësin me Krumën e Hasit dhe me Shishtavecin.
Me ketë rast, Sali Berisha ka hedhur akuza të ashpra ndaj organit të Prokurorisë për hetimet e rrugës Durrës-Kukës si e përdorur, sipas tij, nga lideri i opozitës, Edi Rama. Kryeministri ka qenë më i ashpër së kurrë ndaj organit të akuzës, duke mos kursyer edhe etiketime jo etike. "Sot, unë erdha në Kukës nëpërmjet korridorit të kombit.
Duke ardhur m'u rikujtua teza famëzezë e humbësit Edi Rama. Pasi volli vrer, tonelata shpifjesh dhe trillimesh, pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, ndaj Korridorit të Kombit, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit", - tha Berisha.
Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se nuk do të jetë e largët dita, që në këtë korridor të qarkullojnë 20 apo 24 mijë automjete në ditë. "Ky do të jetë korridori i shqiptarëve, korridori i Ballkanit, i cili do t'u ofrojë distancën më të shkurtër dhe shërbimin më të mirë edhe kombeve fqinje", - tha Berisha në ceremoninë e zhvilluar të premten në Kukës.
Berisha ka ripërsëritur edhe një herë në Kukës angazhimet e marra gjatë fushatës elektorale. "Jam këtu para jush për t'u angazhuar sërish se çdo rrugë e rretheve të këtij qarku do të asfaltohet.
Unë ju garantoj juve se qeveria do të bëjë të gjitha investimet që ju në familjet tuaja të keni ujë 24 orë, që shumë shpejt vepra të rëndësishme ujitëse do të nisin kudo që ka nevojë.
Vitin që vjen ne nisim ndërtimin e një rezervuari të ri në Has, në mënyrë që të vendosim nën ujë dhe qindra e mijëra hektarë të tjerë dhe po kështu në mbarë vendin ne do të ngremë një sistem vaditjeje, që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë.
Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë qeveritarët vendorë të angazhohen, siç janë angazhuar me përkushtim për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore, infrastrukturën e furnizimit me ujë, të angazhohen për një sistem të ri vaditjeje në komunat e tyre", tha Berisha. Kryeministri ka folur edhe për projektin e zhvillimit të zonave verilindore dhe juglindore.
"Qeveria është e vendosur që si një projekt parësor ta bëjë atë realitet me shpejtësinë më të madhe. Zona verilindore por jo vetëm ajo, edhe zona të tjera juglindore të vendit jetojnë në vështirësi serioze, për shkak të kushteve dhe sipërfaqes së vogël të tokave që kanë, për shkak të distancave të largëta me tregun, qeveria ime është e vendosur që të financojë në Has, në Tropojë, në Kukës, Librazhd, Gramsh, Skrapar, Tepelenë, Pogradec, Kolonjë, Mirditë, çdo projekt të secilit fermer. Ndaj ju bëj thirrje t'i mbillni tokat tuaja me ato çka ju mendoni se fitoni më shumë", -tha ai.