E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Skënderaj, fitues i "Kënga Magjike"

TIRANE-Mbrëmjen e së shtunës u transmetua nata finale e një prej kompeticioneve më të rëndësishme muzikore në Shqipëri. 20 finalistët e festivalit "Kënga Magjike" u vlerësuan me çmime të ndryshme, ndërsa fituesin e zgjodhën vetë ata. Një prej mekanizmave të këtij festivali është prej vitesh votimi i vetë artistëve, të cilët nëpërmjet pikëve zgjedhin vendin e parë.

Sivjet pikët maksimale i mori Alban Skënderaj me këngën "Refuzoj", një baladë e cila është pëlqyer shumë edhe nga publiku. Në vendin e dytë ishte dueti midis Renis Gjokës dhe xhaxhait të tij, Aleksandër Gjoka. Ata u paraqitën me një këngë rock, që mban titullin "I njëjti do mbetem". Me vendin e tretë u vlerësua këngëtarja Juliana Pasha. Balada e saj e realizuar nga "Darko Dimitrov" dhe me tekst të Pirro Çakos mban titullin "Diamant". Këta tre këngëtarë kishin marrë pikët maksimale nga pjesa më e madhe e artistëve. Një tjetër këngë, e cila ngriti në këmbë sallën, ishte dueti simpatik midis Adrian Gaxhës dhe Florianit, vogëlushit nga Shkupi. Kënga e tyre "Ngjyra e kuqe" shpejt u shndërrua në hit dhe një nga këngët më të klikuara në internet. Sivjet risitë kanë qenë të shumta sa u takon rrymave muzikore dhe temave që janë përzgjedhur për tekstet
. Kantautori Pirro Çako u shfaq ndryshe, me një këngë shumë ritmike. Edhe pse të mësuar me balada, "Dalldisa" e Pirros e surprizoi dhe e kënaqi publikun.
Vëmendjen më të madhe sidomos të publikut femëror, këtë vit e mori këngëtarja Rozana Radi. Si tekstshkruese e këngës së saj, ajo interpretoi bukur këngën "Ti s'ke zemër", që u dedikohej të gjitha femrave, duke përcjellë një mesazh sensibilizues për meshkujt e dhunshëm. Ka lënë një shije të hidhur tek një pjesë e madhe e publikut mungesa në finale e këngëtareve bukuroshe Zajmina Vasjari dhe Ingrid Gjoni, të cilat nuk arritën të merrnin nga kolegët pikët e nevojshme për t'u bërë pjesë e finales.

Gjithsesi, me artistë të kënaqur e të pakënaqur producenti Ardit Gjebrea ofroi edhe një herë një "show" televiziv që duket se në publik pëlqeu vërtetë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›