E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albanofobia dhe fqinjët

Gjon Neçaj

-Edhe pas dy dekadave, ende nuk mundemi, apo nuk duam që t’i zgjidhim problemet politike, ekonomike, veçmas ato ndëretnike, për të cilën dëshmojnë rastet e fundit, ku fëmijët shqiptarë rrihen  me format më brutale pa asnjë faj. Për këtë albanofobi dëshmojnë edhe frustrimi i të rinjve maqedonas, të cilët, në shumë ndeshje të futbollit, kur Maqedonia luan me ndonjë shtet tjetër, ata pa asnjë kuptim logjik ofendojnë shqiptarët me fyerjet më barbare, djegin flamurin kombëtar shqiptar edhe pse ndeshjet s’kanë të bëjnë fare me shqiptarët. 

Ky nacionalizëm ballkanik u keqkuptua me të vërtetë dhe u ngatërrua me shovinizmin dhe e prishën konceptin e nacionalizmit real. Në emër të nacionalizmit primitiv, ata kaluan në politikë shoviniste dhe krijuan albanofobinë. Ky lloj nacionalizmi nëpër shekuj mbeti një interpretim i keq, një keqpërdorim spekulativ, i cili ka sjellë lindjen dhe thellimin e albanofobisë ballkanike. Pastaj kjo politikë antishqiptare krijoi dorën e gjatë një shekullore, e cila  ka detyruar politikën zyrtare të shtetit shqiptar të reagojë kundër politikës aktuale antishqiptare ballkanase dhe ka kërkuar që të heqin dorë nga ky antishqiptarizëm, sepse përmes kësaj albanofobie rrezikohet paqja në rajon.

Hapësirat shqiptare ballkanike mbeten të konfiguruara brenda një realiteti të hidhur gjeografik dhe historik, pasi  jo vetëm se shqiptarët mbetën të jetojnë në gjashtë shtete ballkanike, por më e keqja është se kjo ndarje, jo vetëm që solli dobësimin e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi, por depërtuan edhe politika dhe interesa të ndryshme, që çuan drejtë lodhjes së madhe shekullore, sepse shqiptarët mbetën të panënshtruar.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›