Eurozona mes reformave dhe ndalimit të efektit domino
Vendet e Bashkimit Europian duhet të vazhdojnë me reformat për të dalë tërësisht nga kriza. Natyrisht kjo do të vlente për të gjitha vendet e Eurozonës sepse pa vazhdimin e reformave nuk do të ndihmoheshin më nga Banka Qëndrore Europiane. Në vendet e Bashkimit Europian herë mbizotëron optimizmi dhe një herë tjetër pesimizmi, herë kërkohet që të vazhdohet me reformat ndërsa në herë të tjera kërkohet një dalje nga zona euro. Një ndër figurat politike europiane që kërkon të japë doza optimizmi është ajo e ministrit të Financave të Gjermanisë, Shauble që ka deklaruar se më e keqja e krizës europiane tashmë ka kaluar. Përfaqësuesit e Bundesbank – ut e mendojnë tërësisht ndryshe dhe sipas tyre Europa nuk duhe të gënjehet se gjithcka është si më parë vetëm për faktin se tregjet duken disi të qetësuar. “Ne kemi nënvizuar gjithmonë që kriza e euros do të kapërcehet kur të jenë zgjidhur problemet strukturore, dhe sidomos mangësia e kompetivitetit dhe borxhet e larta” – këmbëngulin nga Bundesbank. Një tjetër problem është padyshim edhe inflacioni më i madh i cili nëse do të tolerohej, nuk do të kishte mundësi që më pas të ishte i kontrollueshëm. Presidenti i Bundesbang –ut Waidmann është gjithashtu kundër orvatjeve të botës politike për të kufizuar pavarësinë e Bankave Qëndrore jo vetëm të Bankës Qëndrore Europiane por edhe të Fed duke shtuar se: “Kjo tentativë drejt influencës së politikës nuk është vetëm për Eurozonën por është një problem botëror”. Në Europë ka debate të shumta të cilat shpeshherë janë të nevojshme dhe të cilat shpien drejt zgjidhjeve. Një ndër to është padyshim edhe zgjidhja për problemin e Qipros. Pas shumë e shumë orësh ministrat e Financave të Eurozonës kanë gjetur më në fund një marrëveshje për një paketë ndihmash për Qipron e cila ka aktualisht shumë vështirësi me bankat. Ky vend do të jetë vendi i pestë i Bashkimit Monetar që do të ndihmohet që prej fillimit të krizës europiane. Flitet për një hua prej 10 miliardë euro, shifër kjo që ishte kërkuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Eurogrupi ka arritur një marrëveshje politike me autoritetet e Qipros mbi ndihmat” – ka deklaruar presidenti i Eurogrupit Dijsselbloem në një konferencë shtypi. “Mbështetja është e nevojshme për të shpëtuar stabilitetin financiar të Qipros dhe të të gjithë zonës”. Edhe pse Qipro nuk përfaqëson shumë për Gdp e zonës euro kërkohet që të ndalohen rreziqet e mundshme të një efekti domino për vendet e tjera. Në këto bisedime ka marrë pjesë edhe Kristine Lagarde e cila ka këmbëngulur se duhet evituar një rritje e borxhit të Qipros. Në këtë mënyrë vetë Fondi Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së këtij vendi që të japë kontributin e qeverisë për paketën e ndihmës. Në këtë mënyrë ndihma nuk do të jetë më 17 miliardë sic ishte kërkuar në fillim por vetëm 10 miliardë euro. Qeveria e Qipros do të shtojë një taksë 9,9% në depozitat që janë mbi 100 mijë euro ndërsa për depozitat që janë poshtë kësaj shifre do të ketë një taksë që do të arrijë deri në 6,75%. Natyrisht duhen marrë të gjitha masat në mënyrë që ky vend të mos përballet me ikjen e kapitaleve. “Eurogrupi do të priste me kënaqësi një kontribut të Fondit në financimin e planit të ndihmës” – është deklaruar, por deri më tani nga fondi monetar nuk ka patur deklarata për këtë cështje. Në të njëjtën kohë, për të ndihmuar Qipron ka ndërhyrë edhe qeveria ruse e cila kërkon të ndihmojë më një kredi që arrin në 2,8 miliardë dollarë dhe e cila do të ketë një skadencë që do të shkonte deri në vitin 2021. Ndoshta interesimi i Rusisë ka të bëjë edhe me atë që Qipro konsiderohet nga shumë vende si një vend ku pastrohen paratë dhe sidomos ato ruse. Është e qartë se shumë prej vendeve të eurozonës nuk do të ishin dakort me këtë sistem fiskal jo shumë transparent. Pritet gjithsesi që paketa e ndihmës të “pasurohet” me aspektet teknike por edhe me masat që do të marrë vetë qeveria e Qipros. Më pas duhet që kjo paketë ndihme të aprovohet nga secili vend anëtar. Vetë Gjermania do të kërkonte aprovimin e Bundesbang –ut dhe nga ana tjetër për kancelaren gjermane do të nevojiteshin edhe votat e opozitës. Do të jetë një proces i vështirë sepse shumica e gjermanëve nuk do të ishin dakord që të shpenzonin akoma para për të shpëtuar vendet e tjera.