E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ushtari jugosllav, pas vdekjes së Titos

17-03-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Është interesante të shihet ecuria e pesë mosnjohjeve brenda Bashkimit Europian, ndërkohë që ndiqen me vëmendje bisedimet Serbi - Kosovë, me një fillim të vonuar, vijim shpresëdhënës dhe pikëpyetje pa përgjigje, qysh kur në tavolinë u shtrua shpërbërja e strukturave paralele në veri. Numri i njohjeve ka kapur shifrën 100, por më shumë se sa të dish, cili do të jetë shteti i radhës që do të njohë pavarësinë e Kosovës, përsëritet qortimi për pesë vendet anëtare të BE-së, përse ato nuk e deklarojnë njohjen, kur  Beogradi bisedon me Prishtinën në mënyrë të rregullt dhe për çështje të rëndësishme, në të cilat janë përfshirë figurat me të larta të shtetërore e politike të të dy vendeve?
Janë për t’u vënë në pah zhvillimet në tri shtete mosnjohëse, Greqi, Rumani dhe Sllovaki. Që të tri këto vende kanë bërë lëvizje milimetrike përpara, ndoshta aspak nga thirrjet e përsëritura të Brukselit për të kryer njohjen e Republikës së Kosovës, se sa nga ndikimi i ndërtimit të korpusit të bisedimeve Beograd- Prishtinë, me ndërmjetësimin intensiv të Brukselit dhe mbështetjen e vëmendshme të Uashingtonit.
E para është kjo: më 3 mars 2013, ministri i punëve të jashtme të Rumanisë Titus Korlacean, gjatë një interviste në një televizion rumun, pyetjes nëse Bukureshti do t’u bashkohet vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, i dha një përgjigje të pazakontë, po të kemi parasysh deklaratat e presidentit rumun Trajan Basescu, të cilat ngjajnë të prera sa edhe ato të presidentëve serbë. Titus Korlacean tha që, “Në Kosovë ekziston një realitet politik i cili duhet trajtuar në mënyrë inteligjente dhe të hapur”, siç citoi agjencia Beta dhe, “Rumania duhet të shikojë me kujdes se si po zhvillohet dialogu politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ky është realiteti të cilin Bukureshti duhet ta ketë parasysh”, transmetoi Telegraf, sepse do të ishte gabim në qoftë se Rumania nuk i merr parasyshë ndryshimet dhe përparimet në Kosovë, por do “të vazhdojë të mbetet e ngulitur në vijën e parë, sikurse ushtari japonez në Oqeanin Paqësor, pas përfundimit të Lufës së Dytë Botërore”. Kjo ishte një metaforë fantastike e ministrit të jashtëm rumun, për politikën e vendit të tij, e rrasur në llogoren e mosnjohjes.
E dyta është kjo: më 5 mars 2013, një grup prej 12 deputetësh të kuvendit të Kosovës shkuan në Sllovaki, në këtë shtet anëtar të BE-së, i shprehur ashpërsisht për mosnjohjen e Kosovës. Kjo veprimtari politiko-diplomatike është kryer nga bashkëpunimi i ministrisë së punëve të jashtme të  Kosovës me ambasadën e Britanisë së Madhe, me ambasadën e Austrisë, dhe Këshillin Britanik, në kontekstin e projektit KSTalksEU. Janë dërguar mbi 150 deputetë, gazetarë dhe akademikë  në vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur  pavarësinë e Kosovës. Ky zbarkim deputetësh në Bratislavë, me mbështetjen Britanisë dhe Austrisë, është trokitje në dyert e zyrave të larta sllovake, për të thënë se ky shtet është i vonuar në njohjen e shteti të ri, siç shtet i ri është edhe vetë Sllovakia, i përftuar nga një ndarje e kadifenjtë me Republikën Çeke, përkundër ndarjes së përgjakshme të Kosovës  nga Serbia.
E treta është kjo: më 10 mars 2013, ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj kreu një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga ministri i jashtë grek Dimitris Avramopulos. Ai mori pjesë në tryezën e organizuar nga Fondacioni  grek për Politikë të Jashtme dhe Çështjet Europiane ELIAMEP, me temë “Sfidat e Kosovës moderne: Perspektiva nga Prishtina”. Duke iu referuar vizitës së parë në Greqi dhe takimit me homologun e grek, ministri i jashtëm i Kosovës shënjoi një dukuri nga historia e Ballkanit, duke thënë se, “shteti më i vjetër i Europës ka mirëpritur në takim bilateral shtetin më të ri në Europë, Republikën e Kosovës”. Veprimtaria e tryezës së organizuar në Athinë, u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës së Serbisë, në Greqi. Mediat greke, të shkruara dhe elektronike, përfshirë edhe faqen ueb të ministrisë së punëve të jashtme të Greqisë, e pasqyruan gjerësisht vizitën e ministrit të jashtëm të Kosovës dhe tryezën “Sfidat e Kosovës moderne: Perspektiva nga Prishtina”.
Që të tria këto, janë shprehje e ecjes drejt njohjes, por larg pikëmbërritjes. Të pesë vendet anëtare të BE-së, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës - Greqia, Rumania, Qipro, Spanja dhe Sllovakia -  thelbësisht nuk kanë arsye bindëse të mos bëjnë njohjen, edhe pse hedhin çapa shumë ngurues drejt çështjes. Në kohën kur pavarësia e Kosovës është njohur nga 100 vende, pesë shtete të BE-së, ende mosnjohëse, duken si të mbetura te mendimi politik i shekullit të shkuar, kur, sapo një europian fliste për Ballkanin, kryeqyteti i parë që Europës i ndërmendej ishte Beogradi. Nëse perifrazojmë shprehjen metaforike të ministrit të jashtëm të Rumanisë Titus Korlacean, për politikën e vendit të  tij, duhet të themi që, të pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian, që nuk e njohin  pavarësinë  e Kosovës, janë si “ushtari jugosllav, pas vdekjes së Titos”, që nuk ka pse jep më jetën për federatën. Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë është varrosur. Emri jugosllav është aq i harruar, sikur të mos jetë thirrur kurrë. Dhe,Tito iku duke e marrë me vete perandorinë e vogël, nga e cila lindën shtete të ligjshëm, ndër to edhe vetë Serbia, e kthyer me luftë në kufijtë e saj. Por, shumë vonë dhe më në fund, Beogradi  është përfshirë në procesin e domosdoshëm të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin e vet jugor. Kështu, nuk është e drejtë që, të pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian, të mbeten edhe më mbrapa se sa  vet Serbia, në vendosjen e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›