E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albin Kurti: Nuk na duan në politikë

Këto komente ai i bëri në kohën kur Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës së Qarkut po e kërkon për të marrë pjesë në seancat gjyqësor kundër tij.

"Mendoj që EULEX-i neve na ka problem edhe nëse garojmë apo jo në zgjedhje. Viti 2010 është vit shumë i rëndë dhe i vështirë për Kosovën dhe ata frikësohen se mund të ketë ndonjë shpërthim të pakënaqësisë të cilës mbështjelljen politike do t’ia jepte Vetëvendosja... Unë nuk do të dorëzohem në polici vullnetarisht, po ashtu nuk do të shkojë as në seancën e ardhshme që është planifikuar të mbahet në 2 mars me qenë se konsideroj që EULEX është një mision jo-demokratik i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës", tha Kurti.

Arrestimin e tij nga Policia e Kosovës, Kurti e konsideron si joserioze, duke patur parasysh se ai ende vazhdon të ecë i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Ai ka mohuar mundësinë e dorëzimit të tij në polici, dhe pjesëmarrjen në seancën e radhës gjyqësore, e cila do të mbahet më 2 mars.

"Mendoj që nuk ka pasur vullnet shumë të madh nga Policia e Kosovës, duke filluar edhe nga policët e thjeshtë që të vijë në kërkim timin dhe kjo është arsyeja që unë jam në liri. Por në anën tjetër mbase ka shumë interes dhe vullnet nga kreu i policisë dhe nga EULEX-i që unë të arrestohem. Sido që të jetë unë do të mbesë në liri, do të mbesë jashtë burgut në momentin kur unë do të has në polic të cilët zakonisht janë njësi speciale të EULEX-it ose polic të tjerë të Kosovës të cilët u janë nënshtruar plotësisht EULEX-it", tha Kurti.

Albin Kurti, ka bërë të ditur se është duke diskutuar mundësinë e pjesëmarrjes së lëvizjes “Vetëvendosje”,në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të cilat do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm. /alsat/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›