Alcajmeri që vjen nga Greqia
Athina nuk po vdes nga infarkti, por nga Alcajmeri. Kush thotë diagnozën, është Petros Markaris, shkrimtar grek i letërsisë së verdhë, një lloj Zhorzh Simeoni ballkanas, me komisarin e tij Megre që flet greqisht. I lindur në Stamboll nga baba armen dhe nënë greke, është fëmijë adoptiv i kryeqytetit ballkanas. Athina është kryeqyteti i të parit shtet të pavarur të Ballkanit dhe i të parit anëtar të Bashkimit Europian. I pranuar ndër të tjera për të qenë vitrinë e kapitalizmit në mes të një gadishulli komunist. Ishte vendi i bollëkut dhe luksit në vitet ‘90, kur polakët, rusët, bullgarët, rumunët dhe fqinjët shqiptarë, vërshuan drejt parajsës që shikonin e nuk e preknin dot. Sot, ditët e begata për të janë një kujtim i largët. Rrugët që gumëzhinin nga makinat dhe banorët që e prisnin mëngjesin në buzuqe dhe taverna, janë mbushur nga emigrantët. Hareja, është zëvendësuar nga përleshjet midis të huajve, apo bulldogëve të “Agimit të Artë” që bëjnë inkursione ndaj tyre. Greqia ishte eksperimenti i parë i një vendi ballkanas të futej në botën e zhvilluar. Prodhues deri atëherë të agrumeve dhe ullinjve, papritmas grekët e panë veten zotërinj të Ballkanit, ku të gjithë punonin për ta. Paratë vërshonin lumë, ndërtesat shumoheshin, e çdo punëtor kishte mundësinë e një shtëpie pushimi në bregdet. Lagjja “Pllakë” rrëzëllente. Yje të teatrit, kinemasë dhe muzikës, blinin shtëpitë e vjetra të lagjes-simbol në këmbët e Akropolit, dhe i rikonstruktonin. Në një varg vilash që rreshtohen para së të hysh në sitin arkeologjik të ndërtuar nga Perikliu, ku secila kushtonte miliona, kishte blerë edhe Akis Xohaxopulos. Veteran i PASOK-ut, mik i Papandreut baba, dhe ish-ministër i Mbrojtjes, prej vitesh akuzohej për afera korruptive. Akis ishte martuar edhe me një vajzë të re në moshë. Të gjithë ndiqnin modën e kryetarit të tyre. Është trend në Ballkan, që të gjithë imitojnë kryetarët e partive, që nga e folura e deri tek e veshura e mënyra e jetesës. Që qeveritarët merrnin ryshfet, nuk ishte ndonjë gjë e re në Greqi dhe nuk bezdiste njeri deri ditën kur kishin për të ngrënë të gjithë. Grekët mendonin se ishin rast i veçantë, se ishin një përjashtim, se trashëgonin zgjuarsinë e helenëve, a kushedi për çfarë tekë të fatit, ora e ligë nuk do vinte Opinioni i Ditës kurrë për ta. Deri ditën kur kupa filloi të derdhej. Deri në çastin kur financierët e Europës erdhën me laps në dorë dhe filluan të bënin llogaritë e vendit, dhe iu thanë se, ose duhej të vendosnin rregull, ose të falimentonin dhe përfundonin më keq se fqinjët e tyre që deri dje iu kishin pastruar shtëpitë. Por që një vend të mund të rregullojë financat, para së gjithash duhet të bëjë llogaritë me moralin e tij. Duke filluar që nga dënimi i atyre që shpërdorojnë besimin e publikut. Që filloi me burgosjen e Xohaxopulos. Sot, Greqia është një vend i zymtë i Ballkanit, i drejtuar nga një koalicion shumëpartiak i partive tradicionale, që kanë besimin e më pak se gjysmës së popullsisë. Ndërsa më shumë se një ndër dy grekë, besojnë tek ekstremet e fashizmit dhe komunizmit. Greqia është fillimi, copa e parë e fillit të Arianës, që duke e tërhequr, do nxjerrë të gjitha vendet e gadishullit në daljen e labirinthit të krizës, që është edhe gryka e honit. Është logjike, përderisa vendi më i civilizuar, më i përparuar, dhe ndaj të cilit Perëndimi ishte bujar, përfundoi në këtë gjendje, vendet e tjera janë në ditë më të zezë, por nuk e bëjnë me dije. Politikanë autoritaristë dhe shpërfillës të normave morale dhe sjelljes publike; privatizime të errëta dhe ekonomi e fshehtë, më e madhe sesa ajo formale; biznese të lidhura ose zgjatime të politikanëve; krim i ndërthurur me shtetin dhe shteti që shfaqet si një piramidë klanore, sesa kontratë sociale; shtyp i asfiksuar ose i blerë; janë tipike të vendeve të gadishullit, veçanërisht atyre të banuara nga shqiptarët. Por nëse Greqia, si gjithmonë edhe këtë herë, pati ndihmën e Perëndimit dhe një shteti ku e ku më funksional se të tjerët në gadishull, problemi ynë do bëhet akut në ditët që vijnë. Pasuria kombëtare është shitur thuajse e gjitha dhe borxhi publik rritet pa asnjë fre, ndërsa klasa politike dukshëm ka në radhët e saj individë të zakonshëm, të pavlerë për situatë të jashtëzakonshme. Kriza jonë ka ardhur, por do fillojmë ta ndiejmë më shumë në ditët që vijnë. Me pengun e madh, që në ndryshim nga grekët, nuk provuam asnjë ditë të bardhë, që ta prisnim ditën e zezë duke pirë nëpër taverna e buzuqe.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)