E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërrimi i ministrave dhe rikthimi i kampionëve

Kushtëzuar nga rrethanat apo dhe prishja e aleancave, ndërrimi i ministrave në një qeveri, si kjo e këtyre ditëve tek ne, mund të mos thotë asgjë veçse ndonjëherë ka gjasa të jetë një ogur për diçka të mirë që e presim, por që rrallë qëllon të na vijë. Dikush mund të shprehë dyshimin se, nuk ke çfarë pret nga askush, qoftë ky edhe ministër, që për një kohë të shkurtër sa ç’është në detyrë, të zgjidhë problemet e shumta që prej kushedi sa vitesh kanë mbetur pezull. Sidoqoftë, duke parë se ministrinë ku bën pjesë edhe sporti e ka marrë në dorë një njeri me personalitet, ndërkohë edhe artist me plot kuptimin e fjalës, siç është z.Visar Zhiti, shumëkush duhet të ndihet mirë, në mos plotësisht i kënaqur, duke pasur besim se ai, brenda limiteve që i lejon kjo qeveri, do të dijë ta justifikojë postin aktual. Në një deklaratë të dhënë në shtyp pak ditë pasi kishte marrë detyrën si ministër, ndër të tjera, z. Visar Zhiti thonte se, e kishte pranuar këtë post me dëshirën që të bashkohej me ata që punojnë për kulturën tonë, shpalosjen e saj, krijimin, mbrojtjen, zhvillimet e promovimin e Shqipërisë së mrekullueshme, gjithë rini e sportivitet... E parë së jashtmi, e gjithë kjo ligjëratë ngjan e bukur dhe e ndjerë artistikisht, ndërkohë që tjetër është dëshira për t’i bërë gjërat mirë dhe krejt ndryshe paraqitet gjendja në terren, ku vështirësitë për kalimin e pengesave të shumta kanë mbetur të pakalueshme prej kohësh. Nuk po zgjatem me prioritete të tilla si ato të ruajtjes së vlerave kulturore e artistike që po vidhen e shkatërrohen për çdo ditë, as me turizmin, për të cilin thuhet se ka një zhvillim gjithnjë e në rritje, ndërkohë që bregdeti ynë ende gëlon nga llumi i ujërave të zeza, as për gjëra të tjera si këto e thuajse të pazgjidhshme, por doja të përmendja vetëm disa prej atyre gropave ende të pambyllura të fushës së sporteve, që gjithsesi ministri i ri nuk ka se si t’i shmangë gjatë rrugës së tij, e shkurtër apo e gjatë qoftë ajo, gjatë drejtimit të institucionit në fjalë. E konsideruar si vrima e fundit e kavallit, sporti në këtë ministri ka mbetur si një djerrinë prej së cilës lodhesh e mërzitesh së sodituri nga që prodhimi prej asaj fushe nuk ka qenë i mbarë. Se, ka ende gjëra që, në vend të arsyes, vazhdon t’i drejtojë paradoksi apo absurdi, si rasti kur ndonjë sport përfaqësohet nga dy federata, ku njëra financohet prej shtetit, ndërkohë që institucionet ndërkombëtare njohin tjetrën!? Jemi i vetmi vend në botë ku Komiteti Olimpik Kombëtar nuk ka statusin dhe Presidentin e saj dhe ku në Lojërat Olimpike shkojmë sa për ekskursion dhe jo për rezultate që prej vitesh ky komb i pret. Nuk ka pse qeveria, në këtë rast e përfaqësuar nga ministri, të tërhiqet prej hundësh nga ndonjë federatë, si ajo e futbollit, që përpiqet t’i diktojë prishjen e më të madhit stadium të vendit, kur plani rregullues i kryeqytetit planifikon, sipas kryebashkiakut L.Basha, një stadium të ri, në një vend më të favorshëm, që pasuron më tepër infrastrukturën sportive. Por ka edhe çështje të tjera, si ato të klubeve të futbollit, që ndryshe nga ç’duhej të sillte demokracia prej vitesh, megjithatë vazhdojnë sot e kësaj dite të mbesin një fushë e administruar si mos më keq. Pavarësisht mekanizmave që kërkojnë bashkëpunimin e më shumë se të një ministrie, kjo që përfshin edhe sportin duhet ta thotë më në fund dhe sa më shpejt fjalën e saj të prerë për privatizimin e klubeve dhe çështje të tjera të cituara më lart, duke dëshmuar me këtë rast kujdesin për një nga prioritetet e saj, për të cilin përgjigjet një sektor a drejtori, ku më duket se, nga ato që nuk janë bërë deri tani, punonjësit e saj më shumë vegjetojnë sesa punojnë. Ndryshe, gjithkush ka të drejtë të thotë se edhe ky ministër i ri, më shumë paska pëlqyer postin për të qenë në krye, sesa kryerjen e detyrës që i është besuar, qoftë kjo edhe për pak kohë! Në këtë “terr sportiv”, megjithatë, ardhja e një ministri të ri e me një personalitet të tillë, siç njihet z. Zhiti, duket se sjell ca rreze që mund t’u japin më tepër dritë atyre skutave si pa rrugëdalje ku ndodhemi. Organizimi me sukses i Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Tiranë, medaljet e fituara në të prej sportistëve tanë si Daniel Godelli e Romela Begaj, rikthimi në stadium i dy ish- presidentëve Lutfi Nuri dhe Refik Halili, që u panë së bashku pranë skuadrës së tyre të zemrës si për të na dhënë një sinjal të mirë ndryshimi, apo edhe kualifikimi në Maltë i përfaqësueses sonë të femrave për turin e dytë të eliminatoreve të kampionatit botëror të futbollit, janë disa shkëndija që për fat qëlluan të shfaqeshin këto ditë në rrugën e re të këtij ministri të ri, të cilit i del për detyrë të kujdeset edhe për sportet...
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›