Aldrin Dalipi propozohet për të zëvendësuar Kosovrastin. PS- LSI, furtunë në Durrës e Fier
Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, është propozuar për të zënë vendin e Njazi Kosovrastit si kryetar i këtij këshilli.
Ndryshojnë kështu në mënyrë dramatike balancat në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Bashkimi mes PS dhe LSI ka sjellë në fuqi të majtën në shumicën e minibashkive të Tiranës, dhjetë prej tyre, por edhe në Bashkinë e madhe.
Në këtë mënyrë çdo projekt i Bashës do jetë në duart e kundërshtarëve të tij.
Vendimi për propozimin e Aldrin Dalipit është marrë pas një takimi mes këshilltarëve të majtë.
Gjatë këtij takimi, kreu i PS për Tiranën, Sajmir Tahiri tha se kështu do mbrohet vota në gjithë vendin.
Ju e patë në Kuvend dhunën e Berishës për të delegjitimuar institucionet e pavarura. Është e njëjta dhunë që demonstrohet edhe në rrugë. Vjedhje jo vetëm e mandatit të anëtarit të KQZ, por ndaj pavarësisë funksionale të institucionit suprem që ushtron zgjedhjet. Të gjithë ata që e kanë çuar nëpërmend se mund të manipulojnë zgjedhjet, se me votën e qytetarëve mund të bëjnë çfarë të duan, ne sot u deklarojmë se afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer sistemin vendor të denjë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, votën e qytetarëve, tha ai.
Kurse përfaqësuesi i LSI, Shezai Rrokaj tha se në këtë mënyrë vota e qytetarit do të shkojë aty ku e ka hedhur.
Pas takimit, këshilltarët e majtë kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti.
Arsyet e paraqitjes së kërkesës janë si më poshtë:
-Për drejtimin jo korrekt dhe në kundërshtim me ligjin, si dhe për injorimin dhe shurdhërinë ndaj interesave dhe zërit të qytetarëve.
Në kushtet e konfiguracionit të ri politik të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe domosdoshmërisë për të përfaqësuar qytetarët si dhe për ti kthyer legjitimitetin demokratik funksionimit të këtij këshilli, thuhet në kërkesën për shkarkimin e Kosovrastit.
Por bashkimi mes PS dhe LSI do bëjë ndryshime edhe në shumë njësi të tjera vendore.
PS do të kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj Artur Shehut, në mënyrë që të largohet nga posti i kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit dhe ti lërë vendin Vangjel Ndrekos, që sipas socialistëve është kryetari i ligjshëm i Këshillit të Qarkut.
Kryetari i PS-së së Fierit, Andjus Olldashi, bëri të ditur se brenda 10 ditësh do të paraqitet mocioni i mosbesimit ndaj Shehut.
LSI ka bashkuar votat me PS-në edhe në Durrës. Katër këshilltarët e LSI-së kaluan krah PS-së në Këshillin Bashkiak./ep


