Aleanca Kuq e Zi: Regjistrimi do të ndezë tensionet fetare
Aleanca Kuq e Zi ka vijuar turin e saj për të kundërshtuar ligjin për regjistrimin e popullsisë. Aktivistët e Aleancës gjatë ditës së sotme janë ndalur në Berat, ku kanë kërkuar grisjen e formularit të regjistrimit të popullsisë.
Kreu i Aleancës, Kreshnik Spahiu, gjatë fjalës së tij është shprehur me tone të ashpra në lidhje me këtë regjistrim, duke e cilësuar si një nga vendimet më të këqija të marra në vendin tonë.
Aktivistët e Aleancës kanë thënë se regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe fesë, rrezikon që të ndezë tensione dhe konflikte mes komuniteteve fetare.
Jemi pro regjistrimit, por pa pyetje për etninë. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grisni pyetjet për etninë dhe fenë në formular. Berati është shembull i bashkëjetesës ndërfetare, kanë deklaruar ata.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e gjendjes civile, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj.