Aleanca Kuq e Zi në Romë: Të sakrifikojmë për gjuhën shqipe
Në kuadër të fushatës së Aleancës Kuq e Zi, Fol vetëm shqip’, dega AK-Romë, organizoi takimin me temë ‘Një gjuhë, një identitet me dinjitet. Në këtë takim morën pjesë me dhjetëra familje nga Mentana bashkë me fëmijët e tyre. Koordinatorja e kësaj feste, Klejda Zalebeu, në fjalimin hapës, vuri theksin tek roli esencial i familjes në edukimin dhe mësimin e gjuhës amtare tek brezat e rinj, si dhe tek vështirësitë që hasen në artikulimin e shqipes në emigracion. Ajo u bëri një thirrje të veçantë prindërve Shprehuni shqip prindër, dhe pasuroni gjuhën e fëmijëve tuaj. Në fund të fjalimit tha Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë kusht për integrim, dhe të fokusohemi, të luftojmë e të sakrifikojmë, të artikulojmë gjuhën tonë të pasur e të vyer, gjuhën e ngjyrës kuqezi, gjuhën e Shqiptarëve.
Në një njoftim të AK thuhet se: Takimi u kthye në një festë të bukur, nën ritmet e muzikës shqiptare, ku të gjithë prindër e fëmijë, vallëzuan për disa orë, duke treguar kështu se jo vetëm nuk kanë harruar gjuhën, por se kanë në zemër ritmet shqiptare.
Shumica dërrmuese e prindërve u regjistruan si anëtarë të Aleances Kuqezi, duke treguar në këtë mënyrë vlerësimin për Aleancën dhe vullnetin e tyre për të kontribuar në fuqizimin e kësaj lëvizjeje, në Romë e rrethina, vijon njoftimi.