Aleanca Kuq e Zi reagon ashpër ndaj deklaratave të Tadiqit

Sipas Aleancës Kuq e Zi, presidenti Tadiq me deklaratën se Kosova është tokë e Serbisë, ka provokuar 10 milionë shqiptarë, pasi Kosova është tokë shqiptare prej mijëra vjetësh.
Aleanca i bëri apel qeverisë shqiptare të thyejë heshtjen dhe të mos lejojë që shovinizmat sllave të kalojnë në cenim të drejtash.
“Kosova është prej mijëra vjet tokë shqiptare. Tadiq provokoi me fjalët e tij 10 milionë shqiptarë në këto troje dhe qeveria shqiptare duhet të thyejë heshtjen dhe mos të lejojë këso provokimesh”, thekson aleanca.
Ndërkohë, përfaqësues të Aleancës bënë të ditur se mbështesin edhe protestat e shqiptarëve në Tuz të Malit të Zi, për të drejtat e tyre.
“Parlamenti Malazez të mos cenojë simbolet shqiptare. Ulqini e Tuzi janë bastione Kuq e Zi. Tirana duhet të thyejë heshtjen dhe të mbrojë me kushtetutë të drejtat e tyre. Ata nuk janë shqiptarë që banojnë në vendet fqinje, por shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre”, nënvizohet në reagimin e Aleancës.
Po në këtë reagim, Aleanca Kuq e Zi protestoi me tone të ashpra edhe ndaj skandalit të heqjes së gjuhës shqipe nga aeroportet maqedonase.
“Maqedonia hoqi gjuhën shqipe nga aeroporti kur 60 për qind të udhëtarëve të saj janë shqiptarë. Shovinizmi sllav po kalon në cenim të drejtash, ndaj mbështesim fuqimisht protestat në Tuz”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Aleancës Kuq e Zi.