Trajkoviq kërkon “stopimin” e referendumit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se nisma për referendumin e veriut, ka për qëllim “shembjen e perspektivës evropiane të Serbisë”, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit ta stopojnë atë.
“Një shtet serioz, unë dua të besoj se shteti im është i tillë, do ta anulonte atë referendum në seancën e parë të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk ka fuqi, do ta bënte Qeveria e Serbisë”, ka thënë Trajkoviq për mediat serbe.
Sipas saj, referendumi në fjalë është “qesharak” dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Në referendumin e veriut, është thënë se do të marrin pjesë qytetarët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Me referendumin në fjalë synohet “të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri”.